Real Madridi do të jetë nikoqir i Atletico Madridit në derbin e javës në La Liga, duel ky që mund të përcaktojë sezonet respektive të të dyja skuadrave.
‘Los Blancos’ u mposhtën nga Espanyoli javën e kaluar duke bërë që diferenca mes tyre dhe Atletico Madridit në tabelë të jetë vetëm një pikë.
Forma aktuale zakonisht nuk është një indikator se kush është favoriti në këtë takim, pasi humbja e Real Madridit ndaj Espanyolit ishte e para që nga dhjetori, ndërsa Atletico ka humbur vetëm një ndeshje në La Liga që nga tetori.
Një fitore e mundshme e Real Madridit mund ta shohë Ancelottin duke bërë një hap të madh në garën për titull, por në anën tjetër Simeone ka mundësinë që ta rrëzojë atë nga ‘froni’, teksa një barazim eventual më së shumti do t’i shkonte përshtati Barcelonës.
Para fillimit të ndeshjes, superkompjuteri i Opta-s ka mbledhur të gjitha statistikat për të dhuruar një parashikim.
Sipas një raportimi nga Diario Sport, Real Madridi ka 50 për qind mundësi për të triumfuar, teksa mysafirët kanë vetëm 25.3 për qind – barazimi vlerësohet me 24.7 për qind.
Këto përqindje janë të bazuara në takimet e mëparshme, veçanërisht në Bernabeu, teksa takimi i fundit mes këtyre dy skuadrave kishte përfunduar baras me rezultat 1-1.
Dy udhëtimet e fundit të Atletico Madridit në ‘Santiago Bernabeu’ kanë përfunduar me barazim 1-1, ndërsa Real Madridi i ka fituar tri të mëparshmet.
Kujtojmë se fitorja e fundit e Diego Simeones në udhëtim ndaj Real Madridit erdhi në vitin 2016..