Verdheblutë do të kenë dy mungesa të sigurta në ndeshjen e së dielës me rrogozhinasit.
U mendua se mbrojtësi shkodran Esin Hakaj të paktën do të ishte i gatshëm në stol, por mesa duket ai ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe nuk do të grumbullohet.
Përveç tij dhe Arsen Lleshit, që është dëmtuar disa javë më parë, pjesa tjetër e grupit të lojtarëve është e plotë.
Trajneri Ivan Gvozdenoviç pritet që në këtë ndeshje t’u besojë pak a shumë të njëjtëve lojtarë që hodhi në fushë ndaj Vllaznisë në Kupën e Shqipërisë.
Ndryshimi i vetëm në këtë sfidë mund të jetë aktivizimi nga minuta e parë e Ze Gomeshit, i cili mund të marrë vendin e Lajthisë. Tani Elbasanit nuk i mungojnë alternativat në skuadër dhe tekniku mund të përziejë “kartat”, kur të jetë e nevojshme. Tre nga lojtarët e ardhur në merkaton e dimrit, Olberkis, Ibrahim dhe Xhoel, duket se kanë zënë vend në formacion.