Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka thënë se skuadra e tij duhet t`i zhvillojë dy ndeshje të shkëlqyera kundër Real Madrid për të kaluar në fazën tjetër të Champions League.
Ndeshja pritet që të zhvillohet të martën në Manchester.
Spanjolli e ka pranuar se të dy skuadrat janë përballur me probleme gjatë sezonit, por ka theksuar se Real Madrid i ka menaxhuar më mirë vështirësitë.
"Të dy skuadrat kanë pasur probleme me dëmtimet gjatë sezonit. Mendoj se Madridi i ka përballuar më mirë sesa ne, sepse janë ende në krye të ligës dhe po luftojnë me Atletico Madridin. Kjo tregon edhe një herë vazhdimësinë e tyre", ka thënë Guardiola.
Tekniku i City e ka vlerësuar fuqinë e madrilenëve, duke theksuar se për t'u kualifikuar, skuadra e tij duhet të zhvillojë dy ndeshje perfekte.
"Në fund të fundit, ata janë një rival i jashtëzakonshëm. E dimë këtë. Jemi përballur shumë herë dhe e dimë se si, në momentet e vështira, ata nxjerrin më të mirën nga vetja. Natyrisht, duhet të luajmë dy ndeshje të shkëlqyera për të kaluar tutje", ka thënë ai.
Guardiola e ka pranuar se ndalimi i lojtarëve ofensivë të Real Madrid është një mision i vështirë, duke përmendur cilësitë e tyre të jashtëzakonshme.
"Është e pamundur që për nëntëdhjetë, 120 apo 200 minuta t’i kontrollosh këta lojtarë. Ata janë të jashtëzakonshëm; mënyra si kombinojnë, si sulmojnë hapësirat, si luajnë një kundër një, si e mbajnë topin. Janë të jashtëzakonshëm. Të gjithë e dinë këtë, kështu që duhet të minimizojmë sa më shumë ndikimin e tyre, duke ditur se ata gjithsesi do të krijojnë raste; duhet ta pranojmë këtë dhe të menaxhojmë situatën", ka thënë ai.