Fillimisht një asist në debutim e më pas një gol në ndeshjen pasardhëse.
Gjithçka në më pak se 72 orë. Santiago Gimenez është emri më i lakuar në ambientet milaniste, por aventura e tij sapo ka nisur.
Si ka qenë fëmijëria juaj? Argjentina është një vend që unë e dua, ku jeton e gjithë familja ime, është vendi ku kam kaluar katër vitet e para të jetës sime. Pastaj babai im, i cili ishte futbollist, duhej të transferohej në Meksikë për punë dhe kështu që shkova me të në Meksikë. Dhe aty e kalova gjithë fëmijërinë time.
Pa dyshim, Argjentina është një vend ku ndihem si në shtëpinë time ashtu si Meksika. Nëse do të më duhej të zgjidhja, padyshim, ndihem më meksikan thjesht sepse kam jetuar gjithë jetën në Meksikë, por gjithashtu mbaj Argjentinën në zemrën time.
Si nisi karrierë juaj? Kam qenë gjithmonë i çmendur pas futbollit dhe doja të luaja e jo vetëm ta shihja. Jam rritur në një epokë kur Serie A ishte kampionati më i mirë në botë dhe kjo më bëri të ndjek Serinë A.
A është e vërtetë që Milani ka qenë gjithmonë ëndrra juaj? Po dhe për fat, gjithçka shkoi pikërisht ashtu siç doja. Që fëmijë e kam ndjekur gjithmonë Milanin, është një nga skuadrat me të cilat kam qenë i dashuruar kur kam qenë i vogël.
Kam parë Kakanë, Bekhamin, Ronaldinjon, Ronaldo dhe Gatuzo duke luajtur me fanellën kuqezi. Praktikisht i gjithë ai grup lojtarësh që magjepsi botën. Dhe që kur isha fëmijë, Milani ka qenë ëndrra ime. Kur më telefonuan drejtuesit, thashë me vete: kam këtë mundësi dhe nuk do ta lë të më ikë.