Dinamo, mediokritet më 2025

Futboll

Dinamo, mediokritet më 2025

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 18:12
Dinamo

Dinamo ka humbur nëntë pikë karshi Egnatias që nga fundit i vitit 2024, kur kryesonte me katër pikë më tepër. Blutë kanë zbritur në vendin e katërt dhe në ndeshjet e fundit vuajnë mungesën e Itodos, pa gola e krijimtari në sulm.

Fundi i vitit 2024 nuk mund të kishte qenë më i bukur për Dinamon, kampione e dimrit, në krye të tabelës në dhjetor për herë të parë pas 15 vjetëve, që nga sezoni i titullit të fundit.

Viti u mbyll me fitoren kundër Egnatias, e lënë me katër pikë prapa. Hyn 2025-a dhe pesë ndeshje më pas Egnatia e Dinamo ndërrojnë vende, kampionët në krye, blutë në vendin e katërt, me diferencë pesë pikë nga kreu.

Në vetëm pesë javë, skuadra e Ilir Dajës ka humbur nëntë pikë karshi rrogozhinasve. Meritë e padiskutueshme e kampionëve në fuqi, që kanë fituar ndeshjet e tyre, por edhe paaftësi e bluve që në të njëjtin numër ndeshjesh kanë grumbulluar vetëm 6 pikë. Në pesë javët e fundit, Dinamo ka grumbulluar po aq pikë sa Bylis, një më pak se Laçi, dhe lë poshtë vetes vetëm skuadrat që luftojnë për mbijetesë.

E ndërsa titulli nuk është çështje e humbur, falë formulës së kampionatit, me shumë gjasa blutë i kanë thënë lamtumirë Kupës, me humbjen 0-2 me Skënderbeun. Dinamo ka vetëm një humbje më 2025, por po aq janë edhe fitoret, kundër Elbasanit, me barazimet rezultate dominuese, tre të tilla. Rastësi ose jo, zbritja në renditje ka nisur me dëmtimin e Itodos, autor i dhjetë golave, por edhe pika e referimit në sulm.

Pas barazimit me Partizanin, ku Itodo shënoi, Dinamo ka shënuar njëherë kundër Skënderbeut në kampionat, duke mos e gjetur më rrjetën në Kupë dhe në ndeshjen e së hënës me Teutën.

Duket se mungesa e nigerianit duket se ka kondicionuar Zabërgjën e bashkë me të të gjithës sulmin e Dinamos, që nuk arrin të gjejë më hapësira e krijimtari, çka rezulton në uljen e produktivitetit, mbetur pas tashmë në garën me Vllazninë, si shënuesjva më e mirë e kampionatit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat