“El Clasico” e Europës vjen me dy episode të reja në sezonin e katërt

Futboll

“El Clasico” e Europës vjen me dy episode të reja në sezonin e katërt

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 18:15
Pamje nga një ndeshje

Tashmë është bërë si një serial…

Përballja Manchester City – Real Madridi vjen sonte me episodin e radhës, në sezonin e saj të katërt – radhazi.

Dy gjigantët e futbollit europian City – Real Madrid – që tashmë mund të quhet edhe si “El Clasico” e Europës – zbresin sonte në fushën e blertë të “Etihad Stadium” për një përballje tjetër të fortë.

Manchester City e Real Madridi do të takohen me njëri-tjetrin për herë të katërt radhazi në Ligën e Kampionëve, ndeshje të cilat ishin të mbushura përplot rikthime emocionale, dramë dhe futboll të zjarrtë, nga të dy palët.

Mirëpo, kësaj here fati deshi që këto dy skuadra të takohen shumë herët në edicionin e sivjetshëm të LK-së.

Të besuarit e Ancelottit dhe Guardiolës do të duelojnë në fazën e play-offit, me fituesin e kësaj përballje që do të kalojë në 1/8 e finales. Kjo ndodhi pasi edhe City edhe Real Madridi nuk dolën mirë në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve.

“Cityzens” mezi kaluan në një pozitë që siguron play-offin, derisa Real Madridi me tri fitore në tri ndeshjet e fundit arriti pozitën e 11-të.

Herën e fundit që këto dy skuadra u takuan me njëra-tjetrën ishte sezoni i kaluar, në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e parë përfundoi 3-3 – si të ishte një ndeshje e luajtur në “Sony Playstation”.

Ajo e dyta përfundoi 1-1 pas 120 minutave, me Real Madridin që kaloi tutje në penallti, falë paraqitjes heroike të portierit Andriy Lunin, i cili i priti dy sosh.

Një vit më herët, ishte City që e shkatërronte Realin (5-1 pas dy ndeshjeve), mirëpo atë herë ishte në gjysmëfinale të garës më prestigjioze për klube në botë. City e fitoi titullin e këtij kompeticioni po atë vit, duke mposhtur Interin në finale (1-0).

Në përgjithësi, këto dy skuadra janë përballur 12 herë në Ligën e Kampionëve.

Manchester City ka 4 fitore, kundrejt 3 të Real Madridit, derisa pesë ndeshje ishin mbyllur me rezultat të barabartë.

21 gola i ka shënuar City në këto përballje, teksa “Los Blancos” e kanë gjetur 18 herë rrugën e rrjetës.

Në përballjet me ekipet spanjolle, Manchester City ka 13 fitore, 10 humbje dhe nëntë barazime në Ligën e Kampionëve. Në shtëpi, ndaj spanjollëve, City ka 9 fitore dhe vetëm dy humbje.

Në anën tjetër, Real Madridi ka 24 fitore e 18 humbje nga ekipet angleze në LK.

Si mysafir, të besuarit e Ancelotti kanë 9 fitore, por kanë pësuar 11 humbje.

Në ndeshjen e sontme, Real Madridi do të ketë mungesa të mëdha në mbrojtje.

Kryeqytetasit nuk do të llogarisin në shërbimet e Dani Carvajal, David Alaba, Antonio Rudiger e Eder Militao. Së fundmi u lëndua edhe Lucas Vazquez, i cili nuk do të jetë i gatshëm as për ndeshjen e dytë më 19 shkurt.

Te City do të mungojnë Oscar Bobb, Rodri dhe Vitor Reis, i cili nuk është përfshirë fare në listën e Manchester Cityt për Ligën e Kampionëve.

Real Madridi është në alarm për ndeshjen e sontme, pasi pesë lojtarë janë të rrezikuar nga kartonët e verdhë, çka do të thotë se me një ndëshkim, do të mungojnë në ndeshjen e ardhshme në “Santiago Bernabeu”.

Ata janë Jude Bellingham, Luka Modric, Eduardo Camavinga, Aurelien Tchouameni dhe Endrick Felipe.

Ndeshja kthyese e kësaj përballje do të luhet më 19 shkurt në “Santiago Bernabeu”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat