Nejmar tregon përplasjet e yjeve te Paris SG-ja

Futboll

Nejmar tregon përplasjet e yjeve te Paris SG-ja

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 18:19
PSG

Ish-lojtari i Barcelonës dhe Paris SG-së, Nejmar Zhunior ka mbajtur një bisedë me legjendën tjetër braziliane, Romario në të cilën ai foli për përshtatjen e tij të vështirë dhe largimin e mëvonshëm nga Barcelona (“arratisja e shekullit”), bisedat e tij me Leo Mesin në “Can Barça” dhe marrëdhënien e tij me Mbapenë në Paris.

“Mbape nuk është i mërzitshëm. Unë kam gjërat e mia me të, kemi pasur një grindje të vogël, por ai ishte thelbësor për ne kur erdhi. Unë e quajta atë ‘Golden Boy’. Unë gjithmonë luaja me të, thashë se do të ishte një nga më të mirët e kam ndihmuar gjithmonë, kam folur me të, ai ka ardhur në shtëpinë time, kemi darkuar së bashku”, ka shpjeguar për “O Baixinho” lojtari aktual i Al-Hilalit në Arabinë Saudite. Mbape iu bashkua PSG-së nga Monakoja në vitin 2017, në të njëjtin vit kur dhe Nejmar u transferua në Francë nga Barcelona, një nga transferimet më të mëdha në historinë e futbollit.

MESI DHE MBAPE – Nejmar zbuloi në programin e Romarios edhe zilinë e supozuar të Mbapesë ndaj PSG-së pas nënshkrimit të Lionel Mesit. “Kemi pasur disa vite të mira së bashku, por pasi Mesi mbërriti ai (Mbape) ishte pak xheloz. Dhe pastaj pati disa zënka, një ndryshim në sjellje”.

DËSHTIMET NË PARIS – Në lidhje me dështimet e përsëritura të PSG-së në Ligën e Kampionëve, pavarësisht nënshkrimeve të milionave dhe lojtarëve më të mirë në qarkullim, braziliani beson se skuadra franceze nuk ka ditur të kontrollojë dhe kanalizojë egon e yjeve të saj. “Është mirë të kesh ego, por duhet të dish si ta administrosh. Nuk duhet të luanin vetëm. Duhet të jetë dikush tjetër pranë jush. Pothuajse kudo kishte ego të mëdha, nuk mund të funksionojë nëse askush nuk vrapon, është e pamundur të fitosh.”

LOTËT NË SPANJË – Nejmar, i cili luajti për Barcelonën nga viti 2013 deri në vitin 2017, foli me Romarion për fillimet e tij të vështira në Spanjë. “Kam ardhur në Barcelonë kur isha 21 ose 22 vjeç, sapo kisha fituar Kupën e Konfederatave kundër Spanjës me Brazilin. Por në Spanjë ishte gjithçka ndryshe. Isha i pasigurt për të luajtur atje. Kaluan gjashtë muaj pa qenë në gjendje të bëja asgjë të mirë, madje duke bërë gjithçka gabim”. Por siç tregon ai, një bisedë me Mesin e ndihmoi Nejmarin të kapërcente presionin dhe më në fund të përshtatet me kërkesat e Barcelonës. “Ishte një ditë që më dha dëshpërim total, shkova në pjesën e parë të ndeshjes kundër Bilbaos shumë i zemëruar, fillova të qaja. Më pas Mesi trokiti në derë dhe më pyeti pse po qaja. Unë u përgjigja se nuk ishte asgjë. Ai tha se ishte atje për të më ndihmuar dhe se unë duhet të luaja futbollin që luajta te Santos, pa presion. Ai tha se mund të mbështetesha tek ai, fillova luaj me më shumë besim, më i emocionuar dhe gjërat filluan të funksionojnë”, kujton ai.

LARGIMI NGA BARCELONA – Një nga momentet e mëdha në transferimet e lojtarëve, pa diskutim largimi i Nejmarit nga Barcelona për te PSG-ja bëri bujë të madhe. Ai vazhdon të mbetet transferimi më i shtrenjtë në histori me mbi 200 milionë euro. Rreth 8 vite që nga ai transferim, Nejmar shpjegoi ambiciet që e shtynë atë të largohej nga Barcelona pas katër sezoneve të shkëlqyera në të cilat ai fitoi tetë tituj “Motivimi im nuk ishte të fitoja çmime individuale… Nuk e ndoqa këtë mendim, të jem i sinqertë. Nuk u largova nga Barça me idenë për të qenë më i miri në botë. Në javën time të fundit në Barcelonë, Mesi më pyeti: Për çfarë po largohesh? Dëshiron të jesh më i miri në botë? Unë do të të bëj më të mirin në botë. Por nuk ishte ashtu, ishin gjëra të tjera personale. Sigurisht, ekonomikisht PSG-ja ishte shumë më mirë se në Barcelonë dhe kishte brazilianë që luanin atje (Tiago Silva, Markinjos, Daniel Alvesh dhe Lukas Moura) dhe ata ishin të gjithë miqtë e mi, unë rrezikova, por nuk ishte me idenë për të qenë më i miri në botë”.

JETA PA “TOPIN E ARTË” – Nejmar, i cili nuk e fsheh ambicien e tij për të fituar ‘Topin e Artë’, nuk hezitoi të pranojë se momenti i tij më i mirë si futbollist ishte në Paris. “Kulmi im, momenti im më i mirë ishte te PSG-ja. Në Paris, unë patjetër do ta fitoja Topin e Artë, por ata përfunduan duke më lënduar”. Nejmar (32 vjeç), i cili është në orbitën e disa skuadrave të MLS-së (Liga Profesioniste Amerikane), nuk përjashtoi mundësinë e rikthimit në futbollin brazilian kur t’i mbarojë kontrata me Al-Hilal në Arabinë Saudite.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat