Fitorja 2-1 ndaj Fiorentinës ditën e hënë e ngushtoi në 1 pikë diferencën e skuadrës zikaltër ndaj Napoli në renditjen e Serie A. Por tani, për Inter dhe Simone Inzaghi është përpara një tjetër sfidë e vështirë, ajo ndaj Juventus të dielën në mbrëmje.
Një ndeshje ku Inter, për herë të parë pas gati dy muajsh, shkon me një përgatitje më të plotë, pasi nuk do të luajë në mesjavë. Kjo do t’i japë mundësi trajnerit Inzagji të punojë me skuadrën dhe të rikuperojë mjaft nga lojtarët e dëmtuar.
Dy prej tyre janë Marcus Thuram dhe Marko Arnautovic, të cilët dolën nga ndeshja e fundit të dëmtuar. Për sulmuesin francez, i cili nuk kishte qenë ende në maksimumin e tij, ishte një mavijosje në kyçin e këmbës së majtë.
Ndërsa për austriakun duket se problemi ishte më i lehtë, dhe pritet të jetë gati për ndeshjen kundër Juventus. Gjithsesi, për të dy do të pritet rezultati i testeve që do të kryhen orët në vijim.
Për momentin, Inzaghi ka në sulm vetëm Lautaro Martinez, i cili gjithashtu shfaqi shenja lodhjeje në fund të ndeshjes, dhe Joaquin Correa, i cili sapo është rikthyer në skuadër pasi pësoi një problem në fillim të janarit.
Në mesfushë e mbrojtje, trajneri Inzaghi pret Federico Dimarco, i cili duhet të shërohet, pasi prej ditësh po lufton me temperaturën. Ndërsa Denzel Dumfries, i rikthyer nga pezullimi, me siguri do të jetë kundër bardhezinjve.