Trajneri i Liverpulit, Arne Slot, shpreson që skuadra e tij do t’i përballojë emocionet e derbit të Mersejajdit në “Goodison Park” më mirë se të dielën, ndërsa performanca e skuadrës së tij rezultoi në eliminimin e tyre nga Kupa FA prej Plajmuthit.
Trajneri holandez la jashtë nëntë lojtarë nga skuadra që mundi Totenhemin në përmbysjen në gjysmëfinalen e Kupës Karabao të enjten e kaluar, por humbi 1-0 në ndeshjen e raundit të 1/16-ave të Kupës FA përballë skuadrës së fundi të Championship-it.
Në formacionin titullar kishte gjithashtu emra si Kieza, Zhota apo Diaz, por ata nuk mund të gjenin një mënyrë për të thyer rivalët e organizuar në përpikmëri. Mohamed Salah, Virxhil van Dijk, Aleksis Mek Alister dhe Kodi Gakpo do të kthehen të gjithë për derbin e 122-të dhe të fundit të Evertonit në shtëpinë e tyre historike, ku sonte atmosfera ka të ngjarë të jetë më e zjarrtë se zakonisht.
“Ajo që ndodhi të dielën duhet të ketë një ndikim, sepse nëse punoni në një klub si ky, duhet të konkurroni për çdo trofe. Të humbasësh kundër Plajmuthit nuk është e pranueshme”, tha Slot për eliminimin e Liverpulit nga kupa.
“Tani duhet të tregojmë një anë tjetër tonën, sepse nuk ishte vetëm rezultati, por edhe performanca ishte shumë larg standardeve të Liverpulit. Ndoshta do të jetë një atmosferë fantastike dhe nuk është kurrë e lehtë të luash kundër tyre, sepse çdo herë që ata do të kalojnë vijën e gjysmës së fushës ose fitojnë një goditje nga këndi, tifozët do të brohorasin për këtë dhe më pas duhet të jesh shumë i fortë mendërisht si ekip mik për t’i rezistuar gjithë kësaj.
Duhet të jesh ende i fokusuar në atë që duhet të bësh: të mbrosh në goditjen e këndit, të mbrosh topin dhe kur ta kesh atë të jesh sa më i qetë që të jetë e mundur. Nuk është hera e parë që këta lojtarë luajnë në një atmosferë të tillë. Shpresoj që ata të mund të fokusohen në atë që duhet të bëjnë.
Nuk është vetëm çështje taktike, por duhet t’i përballoni edhe ato emocione”. Slot shtoi se lojtarët e tij duhet të kenë mendje të ftohtë, por jo këmbë të ftohta në “kazanin” e një derbi në “Goodison”, pasi humbën atje për herë të parë që nga viti 2010 prillin e kaluar.