Katër gola dhe po aq asiste sezonin e kaluar, i pari me Milanin.
Njëmbëdhjetë gola dhe tre asiste sivjet, përfshirë tre gola në Ligën e Kampioneve, të parët në karrierën e tij në Europë.
Tizhani Reijnders, gjithnjë e më vendimtar brenda skemave kuqezi, foli në konferencë për shtyp në kuadër të ndeshjes së sotme ndaj Fejnordit.
Çfarë ndeshje prisni? Kam luajtur kundër Fejnordit dhe ia njoh shumicën e lojtarëve. Tifozeria e zjarrtë do të bëjë punën e saj ndaj nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Duam të sigurojmë një rezultat që të na japë edhe më shumë qetësi për sfidën e kthimit pas një jave, por e dimë që nuk ka për të qenë e lehtë.
A do të ishit i gatshëm të ndryshonit rol në fushë? Sigurisht që ekuilibri në ekipin tonë është ende delikat, por mbetet faktor i rëndësishëm. Për mua është thelbësore që çdo ndeshje të luaj me qasjen e duhur. Më e rëndësishmja është ecuria e ekipit, mendoj të luaj mirë dhe të jem në formë të mirë.
E ndjeni vetën lider të këtij Milani? Këtë sezon po përjetoj një lloj kthese. Jam më vendimtar se më parë. Vjet nxitohesha shumë dhe kam punuar shumë në këtë aspekt. Ushtrova gjuajtjen dhe i shikoja sërish ndeshjet e mia për të analizuar sjelljen time para portës. Tani kur futem në zonën e sulmit, e di se çfarë të bëj. Duke shënuar dy golat e parë, fitova vetëbesim dhe gjithçka ndryshoi.
Pak ditë më parë deklaruat se doni të rinovoni. Pra nuk jeni i interesuar për të dëgjuar asnjë ofertë? E di që statistikat e mia më kanë vënë në qendër të vëmendjes, por kjo është diçka e mirë. Do të thotë që po luaj mirë. Nuk ndiej asnjë presion shtesë. Kur futem në fushë, gjithmonë buzëqesh, sepse jam i lumtur që luaj. Edhe mua më pëlqen, sepse deri më tani nuk kam pasur asnjë lëndim të rëndë.
Cilat janë objektivat tuaja? Qëllimi është të fitoj sa më shumë trofe, sepse, nëse luaj futboll, bëj që të shkruhet emri im në librat e historisë. Shpresoj që kjo të jetë e mundur te Milani, me të cilin së shpejti do të rinovoj. Të jem një ditë kandidat për Topin e Artë është ëndërr. Gjithçka do të varet nga paraqitjet e mia dhe trofetë që fitoj.
Nëse vazhdoj të përpiqem të jem versioni më i mirë i vetes në çdo ndeshje, nëse punoj shumë për ekipin dhe të jem vendimtar, do të jetë e lehtë të arrij qëllimet.
Gimenez kthehet në Holandë, si po e ndihmoni? Epo, ne të gjithë duam të bëjmë më të mirën për ta bërë atë të ndihet komod brenda grupit. Edhe të ardhurit e rinj, po e ndihmojmë njëri-tjetrin së bashku me Gimenezin. Mund të them me bindje se jemi gati.