Gara për titullin

Futboll

Gara për titullin

Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 13:09
Foto ilustrim

Reali 50 pikë, Atletiko 49, Barcelona 48! Kjo është situata në La Liga pas barazimit në derbin e Madridit dhe fitores së Barcelonës në Sevilje. Një rivalitet i ethshëm me 15 javë të mbetura deri në fund. Një rivalitet që nuk shihej në Spanjë që prej më shumë se 10 sezonesh.

45 pikë në lojë për çdonjërën nga të tria dhe dy duele direkte: Barça-Real dhe Atletiko-Barça. Kjo është çfarë na pret në javët e muajt në vazhdim.

Emocione të tilla La Liga nuk i dhuronte që nga sezoni 2013- 2014. Pas javës së 23-të Reali, Atletiko dhe Barça ishin me pikë të barabarta (57), një rivalitet që zgjati deri në fund dhe ku kurorën e mori Atletiko në sprintin final përballë Barçës.

Një gol me kokë i Godin në “Camp Nou” i dha titullin Atletikos së Simeones. Diçka më shumë se një dekadë më pas, gjithçka të lë të kuptosh se do të kemi një garë treshe deri në fund, me Barçën, Atletikon dhe Realin që kanë këmbyer vendet mes tyre.

E nisi Barcelona me një kryesim prej shumë javësh (9 fitore në 10 takime). Rënia e Barcelonës në muajt nëntor-dhjetor bëri që stafetën e kryesueses ta merrte Atletiko. Me nisjen e vitit 2025 komandën e mori Reali i Madridit që përfitoi nga ndalesat e Atletikos.

JAVA PËR KREUN – Me derbin të hedhur pas krahëve, java e ardhshme në La Liga mund të jetë vendimtare dhe mund të sjellë dhe një rokadë në krye. Realin e pret një transfertë e vështirë në Pamplona (Osasuna), teksa një mendje do të jetë në Champions për duelin kundër Sitit. Ndaj Atletiko dhe Barcelona janë aty menjëherë pas dere për të përfituar nga ndonjë rrëshqitje e mundshme e skuadrës së Ançelotit. “Colchoneros” presin Seltën, ndërsa të hënën Barça prej Vajekanon, në letër dy rivalë të kalueshëm.

BILBAO PËRGJON – Pas treshes së konfirmuar është Bilbao. Me 6 pikë nga Relai, 5 nga Atletiko dhe 4 nga Barça, të besuarit e Valverdes po zhvillojnë një sezon të mrekullueshëm. Askush nuk besonte te baskët, por ata e kanë treguar në fushë se çfarë mund të bëjnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat