Ka fitore që vlejnë më shumë sesa 3 pikë.
Bëhet fjalë për një mënyrë të thëni, që ndoshta është abuzuar shumë, por për ta bërë më të qartë mjafton të shohësh atë që ndodhi në ndeshjen Inter-Fiorentina të hënën në mbrëmje.
Skuadra e Simone Inzagit ka reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme pas humbjes 3-0 në “Franki”. U përgjigj në fushën e lojës ndaj kritikave që vërshuan vrullshëm mbi trajnerin Inzagi dhe mbi kampionët e Italisë. Zikaltrit kanë fituar një ndeshje të vështirë dhe nervoze, por mbi të gjitha përfituan nga hapi fals që Napoli bëri kundër Udinezes për t’i bërë sërish presion skuadrës së Kontes.
E thënë ndryshe, Interi bëri detyrën si kampion i Italisë, duke treguar karakter dhe dëshirë për reagim. Qasja e ndeshjes ishte perfekte me një sulm të vazhdueshëm në portën e De Geas që u shndërrua në një rast të artë për Lautaron pas 50 sekondash, 2 shtylla dhe për pak një eurogol i Barelës. Në fund erdhi dhurata e autogolit, më shumë sesa i merituar përtej polemikave për goditjen nga këndi që nuk ishte.
Barazimi momental ishte thjesht një incident në rrugën e hakmarrjes, sepse Arnautoviç ktheu sërish në avantazh zikaltrit sapo filloi pjesa e dytë. Sulmuesi u zhbllokua në momentin më vendimtar të sezonit, kur skuadra më së shumti ka nevojë për të. Në fund u shfaq pak lodhje, por rreziqet në portën e Zomerit ishin zero, madje në më shumë sesa një rast Interi për pak sa nuk shënoi golin e tretë.
JAVË VENDIMTARE – Interi është më i gjallë se kurrë dhe me dëshirën për të luftuar për të mbrojtur titullin kampion të fituar vitin e kaluar. Cila është ndeshja e duhur për ta treguar këtë? Derbi i Italisë. Të dielën në mbrëmje në “Stadium” skuadra zikaltër do të kërkojë gjithashtu një hakmarrje për barazimin 4-4 të ndeshjes së parë duke ditur gjithashtu rezultatin e Napolit që do të luajë kundër Lacios në “Olimpico”.
Skuadra e Inzagit gjithashtu do të ketë disa ditë më shumë pushim sepse Juvja luajti në Ligën e Kampionëve. Dy skuadrat luftojnë për objektiva të ndryshëm, por Juve-Inter është gjithmonë një ndeshje speciale dhe nuk mund të konsiderohet një provë për Interin. Thjesht një hap i radhës drejt duelit direkt më 2 mars në “Maradona”.