Te Manchester City ende nuk e kanë kaluar zhgënjimin për humbjen 2-3 ndaj Real Madrid në ndeshjen e parë play off të Champions League.
Një fitore me përmbysje e “los blancos” që erdhi në minutat shtesë, ndaj dhe zhgënjimi është më i madh.
Mbrojtësi John Stones foli për një ndjenjë dërrmuese “zemërimi dhe zhgënjimi” pas këtij rezultati: “Nuk di si ta përshkruaj me fjalë, është një situatë zhgënjyese për të gjithë”.
“Ne ishim në avantazh deri në fund dhe më pas ndodhin dy situata që përmbysin gjithçka, pasi pësojmë dy gola. Është zhgënjyese si mbrojtës të dal me atë rezultat. Është një ndjenjë zemërimi dhe zhgënjimi”, shtoi John Stones.
“Ne duhet t’i shohim ndeshjet më mirë. Trajneri tha se duhet të marrim përgjegjësi për atë që bëjmë në fushë dhe mendoj se e bëjmë këtë. Ne duhet të rritemi kur ndodhin këto momente të këqija”, shtoi mbrojtësi anglez.
“Ne patëm një mundësi të madhe për të shkuar në Bernabeu me epërsinë 2-1. Tani duhet të qëndrojmë pozitivë, gjë që është e vështirë. Ne duhet të shikojmë veten dhe të marrim përgjegjësi, pasi asgjë s’ka përfunduar”, deklaroi Stones.