Sulmuesit e Interit dhe Juventusit, Lautaro Martinez dhe Dushan Vlahoviq, raportohet se janë në listën e mundshme të blerjeve të Arsenalit për merkaton e ardhshme të verës, teksa skuadra e Mikel Artetës synon të përforcohet me një sulmues qendror të nivelit më të lartë.
Nuk është sekret që Arsenal po kërkon një sulmues të ri për sezonin 2025-26. Londinezët kanë vuajtur mungesën e një “bomberi” të mirëfilltë në dy sezonet e fundit dhe tani po përballen me dëmtimet e Gabriel Jesus dhe Kai Havertz, të cilët shpesh janë aktivizuar si “nëntë fals”.
Sipas raportimeve nga Calciomercato.com, Arsenal ka ndjekur gjatë sezonit 2024-25 si Lautaro Martinez, ashtu edhe Dusan Vlahovic.
Ky i fundit nuk është më në planet e Juventusit dhe pritet të largohet në fund të sezonit, duke qenë se në verë do të hyjë në vitin e fundit të kontratës së tij. Për këtë arsye, ai mund të jetë i disponueshëm për një çmim më të vogël.
Nga ana tjetër, Lautaro Martinez është i lidhur me Interin deri në verën e 2029-ës dhe, duke qenë se ai është kapiten dhe ka një marrëdhënie të fortë me klubin, stafin dhe tifozët, largimi i tij nga “San Siro” duket një mision shumë i vështirë.
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është objektivi kryesor i Arsenalit për verën, pasi Calciomercato raporton se Benjamin Sesko i RB Leipzig dhe Matheus Cunha i Wolverhampton Wanderers janë opsionet e para për “Topçinjtë”.