Premier League “dënon” fyerjet racore në drejtim të mesfushorit të Everton

Futboll

Premier League “dënon” fyerjet racore në drejtim të mesfushorit të Everton

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 16:53
Pamje nga ndeshja

Premier League ka publikuar një deklaratë duke dënuar fyerjet racore të drejtuara ndaj mesfushorit të Evertonit, Abdoulaye Doucoure, pas barazimit 2-2 kundër Liverpoolit në derbin e Merseyside në “Goodison Park” të mërkurën.

Doucoure, 32 vjeç, e nisi ndeshjen si titullar dhe u ndëshkua me karton të kuq pas një përplasjeje me Curtis Jones, i cili gjithashtu u përjashtua nga arbitri Michael Oliver.

Mesfushori nga Mali u pa duke provokuar tifozët e Liverpoolit në sektorin e mysafirëve, përpara se Jones, 24 vjeç, të ndërhynte menjëherë.

Një përleshje mes disa lojtarëve shpërtheu në fushë, ndërsa trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, dhe asistenti i tij, Sipke Hulshoff, u ndëshkuan gjithashtu me karton të kuq nga Oliver.

Pas përfundimit të ndeshjes, mesfushori i Evertonit u bë shënjestër e abuzimeve raciste në rrjetet sociale.

Premier League lëshoi një deklaratë në orën 13:57 të së enjtes:

“Premier League është e tmerruar nga abuzimi që ka marrë Abdoulaye Doucoure. Diskriminimi i çfarëdo lloji nuk ka vend në futboll apo në shoqëri. Nëse shihni ose dëgjoni abuzim, raportojeni.”

Deklarata e përbashkët e Liverpoolit dhe Evertonit

Të dy klubet lëshuan një deklaratë të përbashkët në faqet e tyre zyrtare:

“Everton dhe Liverpool janë të vetëdijshëm për – dhe e dënojnë në termat më të ashpër – abuzimin racist ndaj Abdoulaye Doucoure pas derbit të mbrëmjes së së mërkurës.

“Ky abuzim është i neveritshëm dhe nuk do të tolerohet.

“Të dy klubet do të bashkëpunojnë me Policinë e Merseyside, e cila po kryen një hetim për të identifikuar individët përgjegjës.

“Ne gjithashtu inkurajojmë të gjithë ata që dëshmojnë ose përjetojnë abuzim në internet ta raportojnë dhe ta denoncojnë atë në platformat përkatëse.

“Ne duhet të marrim një qëndrim zero-tolerancë. Platformat e rrjeteve sociale duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të marrin masa për të ndaluar abuzuesit.

“Racizmi dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend as në internet, as në stadiumet tona, as në komunitetet tona.” .

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat