Enzo Maresca beson se skuadra e tij rinore e Chelsea po shkon në drejtimin e duhur në sezonin e tij debutues në “Stamford Bridge”. Gjithsesi, trajneri italian dhe lojtarët e tij tani u duhet të përfundojnë punën e nisur duke siguruar një rikthim në Champions League sezonin e ardhshëm.
Chelsea mburret me mesataren më të re të formacionit fillestar në Premier League këtë sezon, me 23 vjet dhe 309 ditë. “Arsyeja pse kam thënë se nuk jemi ende një klub që mund të konkurrojmë për Premier League ose një titull të rëndësishëm është sepse ne duhet të mësojmë gjëra të ndryshme”, tha Maresca.
Ndeshja e radhës e “blues” është ajo ndaj Brighton të premten në mbrëmje, skuadra që e eliminoi pak ditë më parë nga FA Cup. “Duhet të mësojmë si të jemi të pamëshirshëm dhe të fitojmë ndeshjet. Është diçka që do ta mësojmë me siguri me kalimin e kohës”, tha trajneri italian.
Më tej, Maresca shtoi: “Që tani e tutje, kemi 14 ndeshje në Premier League dhe sa herë që jeni në gjendje të fitoni një lojë, mund të shihni se diferenca bëhet pak më e madhe. Në rast se nuk fitoni ndeshje, barazoni ose humbisni, mund të shihni hendekun e vogël që krijohet me ekipet e tjera”.
“Është e rëndësishme të jemi të fokusuar vetëm tek vetja jonë dhe të përpiqemi të fitojmë sa më shumë ndeshje të jetë e mundur”, shtoi Maresca, ndërkohë që Chelsea konkurron edhe në Conference League. “Jemi eliminuar nga dy kupat vendase por kemi atë europiane”, tha Maresca.
“Pas eliminimt nga FA Cup thashe se ndoshta e vetmja gjë pozitive është se tani mund të fokusohemi në Premier League dhe Ligën e Konferencave. Në këtë moment ne nuk jemi gati për të garuar për katër tituj, ndërsa tani mund të fokusohemi në këto dy turned he kjo është e rëndësishme”, tha Enzo Maresca.
Ai zbulon objektivat që i kanë vendosur drejtuesit e klubit. “Klubi më kërkoi të luante në Champions League brenda dy viteve. Nëse jemi në gjendje ta sjellim këtë gjë pas një viti, do të jetë fantastike”, tha Maresca, që ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare me londinezët.
Maresca mendon se përvoja e nivelit të lartë ndërkombëtar do të jetë e dobishme vetëm për të ndihmuar në zhvillimin e yjeve të tyre të rinj dhe për të realizuar parashikimin e tij në dhjetor se “në pesë deri në 10 vitet e ardhshme, Chelsea do të jetë një nga ekipet, ose skuadra, që do të dominojë futbollin anglez”.
“E vetmja gjë që mund të them është se tani jemi në procesin e duhur, jemi në drejtimin e duhur. Chelsea kurrë nuk ka qenë katërshe e parë në tabelë në dy vitet e fundit. Ndaj, kjo tregon se ne jemi në drejtimin e duhur. Sigurisht që nuk është e mjaftueshme sepse ne duam ta sjellim këtë klub aty ku ky klub i përket”, përfundoi Maresca.