Gjashtë mungesa dhe 1 në dyshim, Partizan i cunguar me kampionët e Egnatias

Futboll

Gjashtë mungesa dhe 1 në dyshim, Partizan i cunguar me kampionët e Egnatias

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 13:30
Partizani

Partizani do të kryejë sot seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes që do të zhvillojë kundër Egnatias nesër në Rrogozhinë në orën 13:30.

Kjo mund të cilësohet edhe si kryesfida e javës së 25-të. Partizani vjen pas tri barazimesh radhazi në kampionat, ku ka humbur terren me Egnatian. Në këtë sfidë ka mundësi të shkurtojë diferencën dhe të konfirmohet si pretendente absolute për titullin kampion.

Megjithatë, nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi të kuqtë kanë plot gjashtë mungesa të sigurta para kësaj sfide. Të deklaruar janë Eleke dhe Kote, që po rikuperohen nga dëmtimet, teksa Taipi, Bytyçi, Janjeva dhe Gudjufi janë të pezulluar për shkak kartonësh. Në dyshim për këtë sfidë mbetet edhe Preka, që ka shfaqur probleme shëndetësore ditët e fundit dhe nuk është stërvitur normalisht me skuadrën.

FORMACIONI – Nisur nga gjithë problemet me mungesat, pritet të ndryshojë edhe formacioni. Në portë si zakonisht starton Qirko, por ndryshojnë ata para tij. Në mungesë të Janjevës dhe Bytyçit, nga minuta e parë në të djathtë pritet të startojë Osmanllari, zgjedhje e tretë për Veselinoviç.

Në qendër pritet dyshja Sembene-Domgjoni, teksa në të majtë do të rikthehet Buxhelaj.

Në mesfushë mungon Taipi dhe shanset janë që t’i besohet një fanellë titullari sirianit Mando, që u tregua mjaft i rëndësishëm në derbi. Ismaili dhe Mehmeti plotësojnë repartin. Në sulm, të sigurt janë Podstrelov dhe Bintsuka, teksa pritet t’i besohet një fanellë titullari edhe malazezit Vujnoviç, që ndryshe nga disa afrime të tjera, duket se ka arritur të rritet mjaft shpejt nga ana fizike.

Nisur nga mungesat e shumta, edhe stoli i kuq pritet të jetë mjaft i cunguar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat