Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, ka folur sot për mediat në prag të ndeshjes që “topçinjtë” do të luajnë të shtunën ndaj Leicester. Ai është ndalur te dëmtimet e shumta që kanë prekur londinezët, që nuk ka asnjë sulmues.
“Dëmtimet janë të pashmangshme gjatë një sezoni dhe ato vijnë për arsye të ndryshme. Tashmë jemi shumë të kufizuar në zgjedhjet tona. Kemi lojtarë të lënduar që kanë luajtur 130 ndeshje në dy sezonet e fundit”, u shpreh Arteta.
“Këto janë gjëra që do të vazhdojnë të ndodhin kur luhet kaq shumë dhe ngarkesa fizike e psikologjike vazhdon të rritet. Ndoshta ky sezon është akumulimi i një stresi të madh që kanë patur lojtarët vitet e fundit.
Ka shumë faktorë dhe është shumë e vështirë të theksohet arsyeja”, u shpreh trajneri spanjoll.
Më tej, Arteta tha: “Kur sheh një lojtar në dhimbje është një ndjenjë shumë e keqe dhe ti si trajner thua “jo përsëri!”. Këto janë situata që i kemi kaluar dhe do t’i kalojmë në të ardhmen, ndaj duhet të mbështestim lojtarin që ta kalojë këtë moment sa më mirë”.
Ai pranon se kjo situatë do të ndikojë mjaft te gara për titull. “Bëhet fjalë për gjenerimin e vrullit dhe javët e ardhshme do të jenë mjaft kritike për ne për të kuptuar, sidomos pas pushimit ndërkombëtar, ku jemi me gjashtë apo shtatë javë për të përfunduar sezonin”, tha Arteta.