Pas përfundimit të ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, kampionati i futbollit të vajzave rikthehet këtë të premte me nisjen e fazës së dytë. E gjithë java e parë e kësaj faze do të zhvillohet e ndarë në tre ditë, të premten, të shtunën dhe të dielën, me pesë sfida që pritet të dhurojnë spektakël dhe rivalitet në fushë.
Sfida Tirana – Kinostudio do të hapë siparin e ndeshjeve të kësaj jave të 10-të në kampionatin e futbollit të vajzave. Ndeshja do të zhvillohet në kompleksin “Skënder Halili” sot në ora 15:00.
Dy takime të tjera do të luhen ditën e nesërme. Gramshi do të udhëtojë drejt Lushnjes, një sfidë në dukje e lehtë për gramshiotet që kanë zhvilluar një fazë të parë mjaft të mirë. Ndeshja është programuar të luhet në ora 11:00. Ndërkaq, po nesër do të luhet edhe ndeshja mes Laçit dhe Teutës, një takim i hapur mes dy ekipeve që kërkojnë të përmirësojnë pozitat e tyre në renditje në këtë fazë. Ndeshja do të luhet në ra 14:30 në kompleksin “Zmijani”.
Të dielën do të luhen dy ndeshjet përmbyllëse të javës së 10-të. Në kryeqytet, Partizani do të presë Apoloninë në një përballje mjaft të fortë mes dy ekipeve që kanë njohur rritje vitet e fundit. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin “Arena e Demave” në ora 14:00. Në takimin tjetër, kampionet në fuqi të vendit, Vllaznia do të sfidojë Egnatian në ora 14:30 në “Reshit Rusi”.
Java e 10-të e kampionatit të futbollit të vajzave
Tirana – Kinostudio, 14 shkurt, ora 15:00
Lushnja – Gramshi, 15 shkurt, ora 11:00
Laçi – Teuta, 15 shkurt, ora 14:30
Partizani – Apolonia, 16 shkurt, ora 14:00
Vllaznia – Egnatia, 16 shkurt, ora 14:30