Kombëtarja shqiptare U-19 për vajza do të nisë grumbullimin dhe përgatitjet e saj të shtunën, në kuadër të ndeshjeve të raundit të dytë të Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë. Shqipëria është shortuar në grupin B4 të Ligës B, së bashku me Irlandën e Veriut, Azerbajxhanin dhe Malin e Zi.
Trajnerja Luçije Gjini ka grumbulluar 20 lojtare për këto ndeshje të rëndësishme, me qëllimin për të ngjitur vajzat kuqezi në Ligën A për herë të parë. Baza e futbollisteve është kryesisht nga klube të kampionatit shqiptar, ndërsa 7 prej tyre aktivizohen në kampionatet jashtë vendit, me ekipe si Leverkusen, SVT 08, Hamburg, Monterosso, Derby County, Leontes dhe Mitrovica e Kosovës.
Grupi kuqezi do të grumbullohet në Durrës, në kompleksin “Sol”. Ndeshja e parë e Shqipërisë U-19 do të jetë ndaj Malit të Zi, më 18 shkurt, në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 14:30. Pas tri ditësh, më 21 shkurt, Kombëtarja do të përballet me Azerbajxhanin, në stadiumin “Egnatia Arena”, gjithashtu në orën 14:30. Më 24 shkurt, Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit të grupit kundër Irlandës së Veriut, në stadiumin “Elbasan Arena”, po në orën 14:30.
Të gjitha ndeshjet e grupit B4 do të zhvillohen në Shqipëri, me datat 18, 21 dhe 24 shkurt. Ndeshjet e Shqipërisë do të luhen në stadiumet “Elbasan Arena” dhe “Egnatia Arena”, ndërsa ndeshjet e tjera do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”.