“I kam thënë tashmë gjërat që duhej të thosha për VAR-in”.
Antonio Conte fillimisht shmangu temën, por më pas goditi fort në lidhje me polemikat e fundit për gjykimet. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së Napolit me Lazion, trajneri salentin lëshoi një thumbim, kryesisht ndaj kolegut të tij tek Interi, Simone Inzaghi:
“Madje, më kanë sulmuar ashpër kur e kam bërë. Kam folur i pari, edhe në emër të të gjithë trajnerëve. Pashë që dikush u tërhoq, duke thënë se flisja vetëm për veten time dhe jo për të gjithë, dhe pastaj u ankua për VAR-in.
Ndoshta ‘ne’ ishte fjala e duhur dhe jo ‘unë’… Nuk dua të kthehem më te ky diskutim, do të më dukej e pakuptimtë. Atë që duhej ta thoja, e kam thënë. Më bën për të qeshur fakti që shumë të tjerë janë kthyer tek e njëjta linjë vetëm kur janë prekur personalisht”.
Conte vijoi me një tjetër akuzë, këtë herë drejtuar edhe mediave: “Edhe shumë media, kur u prekën skuadra të tjera, u pozicionuan qartë. Kur fola unë, nuk pashë gjithë këtë solidaritet. Kjo të bën të kuptosh diferencën kur dikush është te… Napoli, ja kështu”.
Referenca ndaj Inzaghit është e qartë për ata që ishin në sallën e shtypit pas Inter-Napoli, ndeshje e zhvilluar në fazën e parë të kampionatit dhe e shoqëruar me polemika për vendimet e gjyqtarëve. Pas ndeshjes, Conte deklaroi për DAZN: “Sot jam i zemëruar për VAR-in, jo për vendimin në vetvete. Protokolli duhet ndryshuar. E them për të gjithë trajnerët, jo vetëm për veten time”.
Një deklaratë që gjeti përgjigjen e shpejtë të Simone Inzaghit: “Nuk kam asgjë për të komentuar. Mendoj se Antonio foli për veten e tij. Ndonjëherë të jepet, ndonjëherë të merret dika nga gjykimi në futboll. Të gjithë duhet t’i ndihmojmë arbitrat, unë i pari”.