Kyle Walker ka shpjeguar se ‘kishte nevojë të rigjeneronte dashurinë që ka për futbollin’, që është pjesë e arsyeve pse vendosi të largohej nga Manchester City pas fitimit të gjashtë titujve në Premier League për t’u bashkuar me projektin e Sergio Conceicao te Milani.
93 përfaqësuesi i Anglisë u transferua te Rossonerët me huazim dhe mundësinë për ta blerë gjatë dritares së transferimeve të janarit, duke mbyllur kështu periudhën e tij shtatëvjeçare e gjysmë te Etihad.
Që atëherë, ai ka luajtur çdo minutë për Milanin që nga debutimi i tij. Starti i tij i parë erdhi në barazimin 1-1 ndaj Interit në Derbin e Madonninës, pastaj fitimi 2-0 ndaj Empolit në Serie A dhe më së fundi humbja 1-0 nga Feyenoordi në Ligën e Kampionëve.
34-vjeçari u ul për një intervistë me GQ në Milan, e cila u publikua të premten, gjatë të cilës ai zbuloi pse ndjeu se ‘kishte nevojë’ të largohej nga Manchester City këtë sezon dhe pse nuk mund të komentojë ende angazhimin e tij te Milani pas verës.
“Nuk jam një djalë që shikon shumë përpara. Më pëlqen të bëj hapa të vegjël dhe kështu kam bërë karrierën time. Pra, nëse më pyetni se cila është ndeshja pas tre javësh, nuk do ta di sepse përqendrohem vetëm te ndeshja tjetër,” shpjegoi Walker.
“Dy javët e para në Milan kanë qenë fantastike. Tifozët kanë qenë të shkëlqyer. Ushqimi është i shkëlqyer. Koha mund të përmirësohet pak. Nuk ka qenë ende diell, por po pres deri në mars. Po e shijoj plotësisht.
“Më ka dhënë një jetë të re ku mund të përqendrohem vetëm te futbolli dhe të dashurohem përsëri me lojën. Nuk po them që kam humbur dashurinë për lojën, por të luash në Premier League kundër të njëjtëve lojtarë pas fitimit të gjithçkaje, kjo është diçka që kisha nevojë për të rigjeneruar dashurinë që kam për futbollin.”