Në futboll gjithçka ndryshon shumë shpejt dhe shembulli konkret vjen nga Barcelona.
Në 11 ndeshjet e para të vitit 2024, skuadra katalanase përjetoi një krizë në të gjitha nivelet.
Krejt ndryshe po ndodh me nisjen e këtij viti të ri, kur skuadra po shkon nga suksesi në sukses. Vitin e kaluar, në muajt e parë të vitit, blaugranat humbën finalen e Superkupës përballë Realit të , u eliminuan nga Kupa e Mbretit dhe Ksavi Hernandez njoftoi se do të largohej nga skuadra në qershor. Nga ana tjetër, Flik ka përjetuar një situatë krejtësisht të kundërt. Gjithçka që ai po merr, janë lëvdatat, gola të panumërt dhe madje edhe një titull, Superkupën, me një fitore madhështore kundër Realit të Madridit (5-2).
ZYMTËSI – Barcelona e nisi vitin 2024 në një mënyrë të hidhur. Shtatë javët e para ishin shumë të vështira. Katalanasit e nisën vitin duke fituar minimalisht kundër Las Palmas (1-2) në La Liga dhe Barbastro (2-3), në Kupën e Mbretit. Ndeshja kundër skuadrës nga Hueska la një shije aspak të mirë, pasi Ksavit (asokohe trajner) iu desh të falej te veteranët Levandovski dhe Gyndoan në pjesën e fundit për të shmangur katastrofën.
Më pas erdhi Superkupa e Spanjës. Blaugranat udhëtuan drejt Arabisë Saudite me dëshirën për të fituar titullin e tyre të parë të sezonit, por, pasi eliminuan Osasunën në gjysmëfinale, ata pësuan një disfatë në finale kundër Realit Madridit 1-4. Ishte një nga ato disfata që bëri edhe dëme të tjera. Më pas erdhi goditja e radhës në Kupën e Mbretit, ku Barcelona u përball me Bilbaon dhe u eliminua pas humbjes 2-4. Por më e keqja nuk kishte ardhur ende. Tri ditë pas humbjes në Kupë, Vijarreali e tronditi në shtëpi. Këtu shpërtheu gjithçka. Ksavi u takua me presidentin dhe njoftoi se do të largohej nga Barça në fund të sezonit.
KTHESË RADIKALE – Në këtë fillim viti 2025, lajmet janë krejtësisht të kundërta. Skuadra e Hansi Flik vazhdon të shënojë gola sipas “qejfit”, është pranë thyerjes së rekordeve, ka fituar Superkupën e Spanjës dhe është në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit. Në fakt, në njëmbëdhjetë ndeshjet e para, kanë barazuar vetëm dy, kundër Atalantës, në ndeshjen e fundit të raundit të parë të formatit të ri të Champions, dhe në “Coliseum”.
Përveç kësaj, ai ka shënuar më shumë se katër gola në gjashtë ndeshje, duke përfshirë finalen e Superkupës kundër Real Madridit (5-2). Katalanasit janë pozicionuar më mirë edhe në La Liga. Në vitin 2024 ata ishin tetë pikë prapa kryesuesve (Realit) dhe gjashtë pas Gironës së vendit të dytë. Blaugranat tani janë vetëm dy pikë prapa Realit të Madridit dhe një pas Atletikos. Përveç kësaj, ata do të luajnë këtë javë të hënën dhe për këtë arsye do të dalin në fushë duke ditur se çfarë kanë bërë rivalët e tyre të drejtpërdrejtë në garën për titullin.