Ranocchia: Elita e trajningut europian ka një ‘shkollë Conte’ dhe një ‘shkollë Guardiola’

Futboll

Ranocchia: Elita e trajningut europian ka një ‘shkollë Conte’ dhe një ‘shkollë Guardiola’

Më: 15 shkurt 2025 Në ora: 14:16
Andrea Ranocchia

Andrea Ranocchia, ish-mbrojtësi i Interit, ka dhënë një intervistë për “Corriere dello Sport”, ku ka folur rreth trajnerëve që kanë ndikuar më shumë në karrierën e tij, si Antonio Conte dhe Gian Piero Gasperini.

Ranocchia e cilëson Conten si një figurë kyçe në zhvillimin e tij si lojtar: “Është babai im futbollistik. Ai ishte i pari që besoi tek unë, më dha mundësinë të debutoj dhe më formoi. Antonio të ndryshon mënyrën e të menduarit, ka revolucionuar futbollin. Ka një ‘shkollë Conte’, ashtu siç ka një ‘shkollë Guardiola’ në trajningun elitar europian”.

Ai kujton momentin e parë me Conten tek Arezzo: “Në stërvitjen e parë hyri në dhomat e zhveshjes dhe tha: Tani do të bëjmë lëvizje të memorizuara… Deri në atë moment nuk flitej për gjëra të tilla. Ai të detyronte t’i ndiqje lëvizjet e mësuara në stërvitje edhe në ndeshje. Seancat ishin të ashpra, por jepnin rezultate. Conte të futet në kokë dhe të bën fitues”.

Lidhur me ndikimin e Contes te Napoli, ish-mbrojtësi është i bindur se po bën një punë të shkëlqyer: “Shiko çfarë po bën te Napoli me një skuadër të mirë, por jo të shkëlqyer. Interi i vendit të dytë ka në përbërje lojtarë shumë më të fortë”.

Ranocchia ka lavdëruar edhe Gian Piero Gasperini, trajnerin e Atalantës, me të cilin ka punuar te Genoa: “Për një mbrojtës, Gasperini është trajneri më i mirë. Nuk e kam pasur gjatë, por aq sa e kam njohur, më mjaftoi për të vlerësuar idetë dhe mentalitetin e tij. Që atëherë ishte modern, shumë më përpara të tjerëve. Sot, shumë trajnerë e imitojnë ose kopjojnë”.

Ranocchia ka folur edhe për Thiago Mottën, trajnerin aktual të Juventusit, me të cilin ka luajtur tek Interi: “Ishte një lojtar jashtëzakonisht inteligjent, gjithmonë i pozicionuar mire. Përherë merrte vendimet e duhura gjatë lojës. Kishte zgjuarsi të jashtëzakonshme”.

Ai tregon me humor se Motta e quante “Jonny Stecchino”, referencë për filmin e njohur italian: “Më quante kështu sepse isha shumë i dobët. Nuk e kisha menduar kurrë që do të bëhej trajner, sepse ishte shumë introvert”.

Për sfidën e Mottës te Juventusi, ish-mbrojtësi thekson se kalimi nga Bologna te “Zonja e Vjetër” është një hap shumë i madh: “Të kalosh nga Bologna te Juve është një hap i madh. Te Juventusi duhet të fitosh, fitosh dhe vetëm të fitosh. Këtë e imponon historia e klubit. Nuk e kam kuptuar ende se cili është projekti i kësaj skuadre, çfarë ose kush i ka shtyrë të bëjnë atë merkato dhe ku duan të arrijnë”.

Megjithatë, ai shpreson që Mottës t’i jepet koha dhe mjetet për të ndërtuar një skuadër konkurruese: “Thiago është një trajner i veçantë. Shpresoj që të ketë kohën dhe materialin e nevojshëm për të treguar vlerat e tij”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat