Është pragndeshja e derbit të Italisë.
Nesër mbrëma në “Allianz Stadium”, Juventusi do të presë Interin në një ndeshje gjithmonë shumë magjepsëse dhe që ka shumë rëndësi për kreun e Serie A.
Zikaltrit duan të rikuperojnë pikë ndaj Napolit kryesues, ndërsa bardhezinjtë synojnë të rikthehen në zonën që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.
Në prag të kësaj supersfide, “Gazzetta dello Sport” ka folur me Andrea Stramaccionin: “Në kohën time si trajner zikaltër, Pirlo, Marchisio dhe Vidal ishin dominues dhe plotësues mes tyre te Juventusi. Zanetti dhe Cambiasso dinin si t’i menaxhonin dhe t’i fitonin këto ndeshje.
Beteja në mesfushë mund të jetë vendimtare nesër, Interi të bëjë kujdes ndaj Koopmeiners. Kur je lojtar me nivel ndërkombëtar, por paraqitja jote është nën vlerën e vërtetë, këto janë netët e duhura për ta ndryshuar situatën.
Për Interin dua të përmend Calhanoglu. Ai ka pasur një sezon të vështirë për shkak të dëmtimeve, për më tepër mungoi në ndeshjen e fazës së parë ndaj Juventusit. Sidoqoftë, ai mund ta menaxhojë këtë derbi me zgjuarsi dhe përvojë. Cilësitë e tij janë të mbështetura nga ana atletike, por niveli i paraqitjes varet nga interpretimi mendor dhe cilësia e lojës.
Lautaro Martinez? Atij nuk i mungon asgjë. Është dy herë kampion i Italisë dhe nënkampion i Europës me Interin, ka fituar ‘Copa America’ dhe Kupën e Botës me Argjentinën. Lautaro i njeh këto sfida dhe do të ketë urinë e dëshirën e zakonshme për ta udhëhequr Interin”.