Një fillim viti me aventurë të re ka qenë ky për Myrto Uzunin e kombëtares shqiptare.
Sulmuesi 29-vjeçar u largua nga Granada pas tre vitesh, për të vazhduar karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në skuadrën e Austin.
Në një intervistë për “A2CNN”, Uzuni foli gjithashtu edhe për rrugëtimin që do të nisin kuqezinjtë për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
“Oferta nga skuadra e Austin ishte e papritur, pasi kam pasur oferta edhe nga ekipe të tjera spanjolle. Me ekipin aktual ishte një negociatë shumë e gjatë pasi ata paguajtën dhe klauzolën, deri sa në fund ramë dakord për t’u transferuar përfundimisht. Zërat që unë nuk jam stërvitur me Granadën nuk janë të vërteta, unë kam bërë stërvitje me pjesën tjetër të grupit.
Fotografin nuk e lejonin të më fotografonte.
Në Spanjë arrita të fitoj gjithçka, kampionatin, golashënuesi i vitit dhe madje golashënuesi më i mirë në historinë e Granadës.
Realizova çdo gjë me sukses dhe mendoj se ka qenë një hap shumë i rëndësishëm në karrierën time. Kam pasur edhe oferta nga Europa, kjo normalisht që ndodh pasi arrin të shënosh shumë gola.
Në LaLiga kam pasur oferta edhe nga Getafe, Rayo Vallecano dhe Sevilla, por normalisht ishte Granada që kërkonte të paguhej klauzola, kjo ka qenë pengesa më e madhe. Normalisht që nuk ia kam mbyllur dyert përfundimisht Europës, karriera ime është ende aty. Është disiplina, regjimi im që më kanë bërë ky që jam sot, por do të shohim se çfarë do të bëj në të ardhmen. Në SHBA më kanë pritur shumë mirë dhe janë njerëz shumë pozitivë, mezi po pres të shkoj. Trajnerin Sylvinho e takova në mbrëmjen Gala dhe më uroi për transferimin.
Për mendimin tim Anglia është një nga kombëtaret më të forta në botë, janë në çdo repart të mbuluar shumë mirë. Nga ana tjetër të gjithë e dinë që do matemi me Serbinë, një ndeshje shumë e bukur për t’u luajur, pasi duhet të bëjmë krenar edhe vendin tonë. Grupi janë të gjithë përpara për një qëllim, ndaj Anglisë mund të jetë dhe pjesa e të pasutit pak fat. Me Serbinë e dimë të gjithë që do hyjmë në fushë vetëm për të fituar.
Një gol përballë kombëtares së Serbisë? Ajo do ishte një ëndërr, uroj që të bëhet realitet. Presioni është aty gjithmonë dhe mund të jetë në çdo rast tjetër, mund të jetë edhe në një ndeshje ndaj shokëve kur do të fitosh. Të gjithë lojtarët e kombëtares janë profesionistë dhe duhet ta menaxhojnë këtë lloj presioni. E rëndësishmja është të kualifikohemi për në Kupën e Botës. Për mua është shumë e rëndësishme të shënoj dhe do ishte gjëja më e bukur të shënoja për kombëtaren shqiptare”, u shpreh Myrto Uzuni në intervistën e tij.