U lëndua ndaj Newcastle, Guardiola flet i shqetësuar për gjendjen e Haalandit

Futboll

U lëndua ndaj Newcastle, Guardiola flet i shqetësuar për gjendjen e Haalandit

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 09:00
Haaland

Manchester City do të ketë përballë ndeshjen e tyre më të madhe të sezonit më 19 shkurt, teksa Pep Guardiola po përgatitet të luajë sërish ndaj Real Madridit. 

Këto dy ekipe u vunë përballë njëra-tjetrës për sezonin e katërt radhazi pasi nuk arritën të kualifikohen në mesin e tetë më të mirave muajin e kaluar. 

City u mposht në ndeshjen e parë në ‘Etihad’ me rezultat 3-2 falë një goli të Jude Bellingham në çastet e fundit të takimit. 

Guardiola do të duhet që të përmbysë rezultatin që është një mision i vështirë, sidomos duke marrë parasysh lëndimet që kanë kapluar klubin anglez. 

Manuel Akanji tashmë është konfirmuar se do t’i nënshtrohet një operimi dhe do të mungojë edhe ca kohë, teksa ka dyshime tashmë edhe për Erling Haaland. 

Ylli norvegjez e gjeti rrjetën në ndeshjen e parë ndaj ‘Los Blancos’, por mbeti i lënduar në minutat e fundit në fitoren me rezultat 4-0 ndaj Newcastle Premier në Ligën Premier. 

Shenjat e para nuk dukeshin të mira, pasi Haaland po çalonte nga dhimbjet në gjurin e tij. 

“Kur ai u rrëzua, të gjithë ishim të frikësuar. Nuk kam biseduar me të ende apo me doktorin, por doktori nuk erdhi me lajme të këqija, kështu që shpresojë se ai është mirë”, ka thënë Guardiola. 

Nëse Haaland nuk ia del të rikuperohet në kohë për duelin me Real Madridin, Guardiola mund ta vendosë Omar Marmoush në qendër të sulmit pasi shënoi het-trik ndaj Newcastle.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat