Arsenali ka tri sezone që po lufton për titullin e Premierligës, i cili i mungon klubit londinez që nga sezoni 2003/04.
Dy sezonet paraprake ishin vetëm disa pikë që e ndanin Arsenalin nga triumfi në elitën e futbollit anglez, duke zhvilluar një garë të ashpër me Manchester Cityn e Pep Guardiolës.
Për të qenë i gatshëm për një maratonë prej 38 ndeshjesh dhe për të shpresuar në një titull të fituar, duhet të kesh edhe një thellësi të gjerë të skuadrës.
Për dy sezone me radhë, Arsenali s’e kishte problem këtë.
Mirëpo, kësaj here po çalon në këtë aspekt, pasi është goditur nga një krizë e lëndimeve, sidomos në fazën e sulmit.
“Topçinjtë” pësuan disa lëndime të rëndësishme në fazën e mbrojtjes, duke mbetur pa Benjamin Ëhite, Jurrien Timber, Riccardo Calafiori e Gabriel në disa pjesë të këtij sezonit. Duke mos harruar edhe lëndimet e shkurtëra edhe të Oleksandr Zinchenkos e të Takehiro Tomyasut.
Kur dukej se gjithçka po shkon tashmë normalisht, ndodhën lëndimet në sulm.
Së pari Bukayo Saka, Gabriel Jesus, tashmë edhe Gabriel Martinelli e Kai Havertz, me këtë të fundit që e ka humbur sezonin.
Me afatin kalimtar të janarit të mbyllur, Arsenali ka mundësi të bëj nënshkrim të ri vetëm nëse ai është lojtar i lirë, dhe të tillë në treg ka pak, sidomos për pozitën e qendërsulmuesit.
Kështu, tani ka hyrë në punë ‘magjia’ e Mikel Artetas, i cili e ka gjetur një zgjidhje, që jo të gjithë e kishin pritur.
Arsenali gjatë ditës së djeshme u paraqit në “King Power Stadium” për t’u përballur me Leicester Cityn, por e kishte shumë të vështirë të gjej golin…
Raheem Sterling po startonte një ndeshje të Premierligës për një kohë të gjatë, derisa në pozitën e numrit 9-të ishte Leandro Trossard. Ethan Nwaneri ishte në anën e djathtë, i cili më së miri po e zëvendëson Sakan, por fati s’e deshi të shënojë gol.
Një nga vendimet më të mira të Arteta ndeshjeve të fundit ishte zëvendësimi i minutës së 69-të. Sterling lëshoi vend për Mikel Merinon, i cili erdhi verën e kaluar nga Real Sociedadi. Pozita e tij natyrale është mesfushor.
Trossard kaloi në anën e majtë, aty ku duhet të luajë, dhe kështu Merino – për herë të parë në karrierën e tij – po luante në pozitën e sulmuesit.
Por, ky “potez” i Artetas doli shumë i qëlluar.
Po shënohej minuta e 81-të e ndeshjes, kur Merino e shfrytëzoi për mrekulli një krosim të Nëanerit, duke dërguar topin pas shpinës së portierit të Leicesterit me një goditje me kokë.
Pas golit të parë dhe ‘festës’ së Arsenali më në fund po fiton ndeshjen e djeshme, në skenë doli prapë lojtari i njëjtë.
Kësaj here ishte Leandro Trossard në rolin e asistuesit, topin e të cilit e shfrytëzoi më së miri Merino, me një finish sikur të luante qendërsulmues gjatë tërë karrierës së tij.
“Arteta më tha se do të luaj si sulmues mëngjesin e sotëm (dje). Po flisnim për këtë me asistentët. Është hera e parë që luaj në atë pozicion dhe hera e parë që shënoj dy gola duke u futur si zëvendësues, si sulmues”, tha Mikel Merino pas ndeshjes.
Arsenali në fund fitoi 2-0 me dy golat e spanjollit, duke shkuar në 53 pikë, katër më pak se Liverpoolit që është në vendin e parë, derisa ka edhe një ndeshje më pak. “Të Kuqtë” luajnë sot nga ora 15:00 ndaj Wolves në “Anfield”.
Javën e 25-të në Premierligë e mbyllin Tottenhami me Manchester Unitedin, me duelin që nis nga ora 17:30.