Tedesco flet mbi përgatitjet e skuadrës kuqezi

Futboll

Tedesco flet mbi përgatitjet e skuadrës kuqezi

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 11:35
Trajneri i Kombëtares shqiptare U-17

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-17, Andrea Tedesco, mori nën drejtim ekipin e përbërë nga talentet kuqezi të vitlindjes 2009, që u aktivizuan në dy ndeshjet miqësore ndaj Hungarisë në “Shtëpinë e Futbollit” gjatë kësaj jave.

Në kuadër të përgatitjeve për kampionatin europian për U-17 që zhvillohet në maj në Shqipëri, trajneri Tedesco pati mundësi të testojë dhe vlerësojë futbollistët e rinj shqiptarë që mund të bëjnë pjesë në ekipin Kombëtar U-17.

Në një prononcim për fshf.org pas ndeshjes së dytë, trajneri Tedesco u shpreh se ishte i lumtur me klimën e krijuar në skuadër dhe se është e rëndësishme të ndiqet rrugëtimi i lojtarëve të rinj në futboll.

“Jemi shumë të kënaqur, për shumë motive. Fillimisht, pasi Federata prej disa javësh më ka kërkuar të trajnoj edhe ekipin U-16. Kemi qenë pak kohë bashkë, 2 ditë e gjysmë, e prej shumë djemsh kemi arritur të vendosim në fushë një skuadër. Rezultati nuk ka rëndësi, sepse sot mund të shkonte më mirë, po ashtu edhe në ndeshjen e parë. Por në futbollin e të rinjve është e rëndësishme të shihet prezantimi dhe rritja që djemtë kanë gjatë kohës që janë me ne, por edhe në një rrugëtim më të gjatë”, – u shpreh trajneri Tedesco.

“Jam shumë i lumtur me stafin që kam njohur së fundmi, edhe pse kemi pak javë që bashkëpunojmë, staf i ri, është krijuar menjëherë një klimë pozitive. Kjo ka rëndësi, sidomos kur punon me të rinj që duhet të rriten, të besojnë dhe të përfaqësojnë vendin”, – shtoi ai.

“Tani mbyllim një derë e hapim një tjetër, sepse duhet të përqëndrohemi në finalet e Europianit dhe të ekipi U-17, me të cilin do të grumbullohemi në mars. Duhet të provojmë të përmirësojmë pak skuadrën”- nënvizoi trajneri italian.

“Tani që kemi një staf që në mënyrë të qetë arrin të ndërtojë bashkë aktivitetet e përditshme, dua ta falënderoj. Dua të falënderoj Federatën që më ka dhënë edhe skuadrën U-16, por sidomos për mundësinë për të marrë pjesë në Europianin U17, për të cilën do të nisim të punojmë që nesër dhe e lëmë mënjanë U-16”, – përfundoi trajneri i Kombëtares U17.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat