“Një ditë do të lexoni në lajme apo gazeta dhe do ta merrni vesh të ardhmen time”.
Kjo ishte fjalia e Florian Wirtz pas ndeshjes së skuadrës së tij, Bayer Leverkusen, me rekordmenët e Bundesligës, Bayern Munchen, kur u pyet për planet që ka për sezonin e ardhshëm.
Lojtari i kombëtares gjermane, i cili vijon të shkëlqejë dhe të tërheqë vëmendjen tek “Aspirinat”, nuk dha asnjë koment më shumë për të zbuluar se ku mund ta shohim duke luajtur.
Kontrata e tij në “Bay Arena” skadon në vitin 2027 dhe emri i tij ka kohë që lidhet me Bayern. Vlera e tij aktuale në treg llogaritet 140 mln euro.
Bayern ka një plan specifik për të, ta blejë në verën e vitit 2026, kur ai të ketë vetëm një vit të mbetur në kontratë dhe të jetë më i lirë sesa sot. Jo vetëm kaq. Bayern po mendon për psikologjinë e lojtarit.
Meqë Botërori luhet në 2026, do të ishte gabim i madh që Wirtz të transferohej para turneut te Bayern, sepse kjo do të shtonte presionin për të.
“Po luaj futboll për momentin dhe kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi”, tha dje Wirtz. Ka të drejtë, por kur je më i miri në Gjermani, bota i ka sytë te ti, sidomos kur luan te Bayern.