Juventus - Inter është një sfidë hakmarrjeje

Futboll

Juventus - Inter është një sfidë hakmarrjeje

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 12:30
Interi

Në Torino ditën e diel do të zbresë një copëz historie, mes dy ekipeve që kanë rivalizuar në çdo hap njëra-tjetrën dhe kanë luftuar me çdo mënyrë për të marrë fronin.

Për vite me radhë bardhezinjtë kanë qenë dominues në kampionatin italian, ndërsa në sezonet e fundit zikaltrit kanë ditur që të reagojnë. Është një duel me shumë tabu, ku Mota do të mbrojë me forcë pathyeshmërinë në shtëpi. Shumë arsye që në 20:45 të hidhni një sy në Torino.

* Interi ka qëndruar i pamposhtur në 3 ndeshjet e fundit kundër Juventusit në kampionat duke marrë 1 fitore dhe 2 barazime. Në 45 vitet e fundit vetëm një herë zikaltrit kanë regjistruar 4 ndeshje radhazi pa humbje kundër bardhezinjve në Serinë A mes sezonit 2003 dhe 2005 (3 fitore dhe 1 barazim) në atë kohë.

* Pas barazimit 4-4 në ndeshjen e parë më 27 tetor, Juventusi dhe Interi mund të barazojnë të dyja ndeshjet në një sezon për herë të katërt në histori, pas 2001-2002, 1994- 1995, dhe 1988-1989.

* Juventusi ka mbetur i pamposhtur në 10 nga 11 ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Interit në kampionat (7 fitore dhe 3 barazime). Suksesi i fundit i zikaltërve në Allianz në Serinë A ka ardhur më 3 prill 2022 me golin e Çalhanoglusë me penallti.

* Juventusi ka fituar 2 ndeshjet e fundit në kampionat dhe mund të arrijë 3 fitore radhazi për herë të parë në këtë sezon të Serisë A. Hera e fundit që ka arritur 3 fitore radhazi është mes dhjetorit 2023 dhe janarit 2024 (5 ndeshje në atë rast).

* Juventusi është skuadra e vetme e pamposhtur në ndeshjet e luajtura në shtëpi në këtë sezon duke marrë 5 fitore dhe 7 barazime. Asnjë ekip tjetër nuk ka barazuar kaq shumë ndeshje të luajtura në shtëpi sa Juventusi në 5 kampionatet kryesorë të Europës, po aq sa Getafe.

* Interi ka humbur transfertën e fundit në kampionat me rezultatin 3-0 kundër Fiorentinës dhe nuk regjistron 2 humbje radhazi jashtë shtëpie që nga shkurti dhe marsi i vitit 2023. Në atë kohë humbi me Bolonjën dhe Specian. Zikaltrit kanë sulmin më të mirë dhe mbrojtjen më të mirë në transfertë (9 gola të pësuar), po aq sa Napoli.

* Në një anë Interi është formacioni që ka prodhuar më shumë gola nga goditjet standarde (17) në këtë kampionat dhe në anën tjetër Juventusi që ka pësuar më shumë gola nga situatat e tilla, 9 nga 21 gola.

* Randal Kolo Muani ka shënuar 5 gola në 3 ndeshjet e para me Juventusin dhe është i pari lojtar i aftë të shënojë kaq shumë në startin e aventurës. Francezi mund të bëhet lojtari i parë që shënon gol në 4 ndeshjet e para në Serinë A në epokën e 3 pikëve pas Piontekut që e gjeti golin në 7 ndeshje radhazi.

* Lautaro Martinez është autori i 9 golave në kampionat dhe mund të bëhet lojtari i parë në historinë e Interit që shënon numra dyshifrorë në 6 sezone të ndryshme. Për momentin Niers dhe Ikardi kanë arritur 5 sezone radhazi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat