Ylber Ramadani ka qenë protagonisti i radhës në podkastin e faqes zyrtare të Lecces.
Mesfushori i Kombëtares i cili po luan sezonin e dytë në Serinë A, flet për raportet me shokët e skuadrës, Shqipërinë, jetën në qytetin italian dhe objektivin më madhor që ai ka në të ardhmen, mbijetesën me Leçen mes më të mirave.
GJUHA- “Italishtja në fillim ishte pak e vështirë, por tani flas shumë herë më mirë. Jam shqiptar, kam lindur në Gjermani dhe tani jam krenar që kam një pasaportë shqiptare”.
ËNDRRA- “Ëndrra ime ishte që të arrija të bëhesha një futbollist profesionist dhe të luaja në një kampionat profesionist, siç është Seria A. Kam luajtur në 6 shtete, ishte pak e vështirë për mua, por futbolli italian është më i forti dhe taktikisht për mua është më i miri në botë”.
FAMILJA- “Jetoj këtu bashkë me familjen dhe vajza ime shkon në shkollë këtu. Ndihem mirë dhe të gjithë ne jemi shumë mirë. Është si një shtëpi për ne. Nga qyteti më pëlqen sheshi “Sant’Oronzo”. Më pëlqejnë edhe pastiçiotot (një lloj ëmbëlsire), janë shumë të mira”.
EUROPIANI- “Kam bërë një Europian të madh, por tani ka kaluar. Jam këtu për të kryer shpëtimin e tretë”.
RAPORTET- “Raporti me shokët e skuadrës është optimal. Bëj shaka me të gjithë, por ai që bën më shumë është Gaspar. Miqtë e mi më të afërt janë Berisha dhe Kristoviç. Dalim bashkë kur kemi kohë të lirë dhe shkojmë jashtë për të ngrënë”.
RITET- “Jo, nuk bëj asgjë. Dëgjoj vetëm muzikë shqiptare. Dua të jem i përgatitur dhe i përqendruar”.
SHQIPËRIA- “Është e bukur, ndihesh mirë kur shkon. Njerëzit janë të respektueshëm dhe deti është fantastik. Edhe për të ngrënë gatuajnë mirë. Kam parë që edhe nga Leçe kanë shkuar shumë njerëz për pushime. I ftoj të gjithë të shkojnë, sepse është një vend shumë i bukur”.
OBJEKTIVAT- Objektivi im në të ardhmen është që të shpëtojmë këtë sezon me Leçen dhe pastaj të shohim. Për momentin jam i fokusuar vetëm te kjo. I përshëndes të gjithë tifozët. Një përshëndetje, shihemi në fushë dhe të arrijmë mbijetesën në Serinë A.