Bellingham reagon në rrjetet sociale pas kartonit të kuq që mori ndaj Osasunës

Futboll

Bellingham reagon në rrjetet sociale pas kartonit të kuq që mori ndaj Osasunës

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 14:23
Bellingham

Real Madridi mbrëmë (e shtunë) luajti baras me rezultat 1-1 ndaj Osasunës në udhëtim në kuadër të javës së 24-të në La Liga. 

Ky barazim mund të ketë pasoja për madrilenët pasi në rast se Barcelona fiton të hënën ndaj Rayo Vallecanos, atëherë do të ‘rrëmbente’ kreun e tabelës. 

Më shumë se sa rezultati, ajo që u diskutua pas ndeshjes kishte të bëjë kryesisht me vendimet e gjyqtarit Jose Munuera. 

Po zhvillohej minuta e 39-të e ndeshjes kur Munuera e nxori nga xhepi kartonin e kuq për ta përjashtuar nga loja anglezin Jude Bellingham. 

Të gjithë mbetën të habitur nga ky veprim i gjyqtarit pasi ishte e qartë se ky karton nuk u dha për ndonjë ndërhyrje të palejueshme, por për një debat mes palëve. 

Gjyqtari Munuera pas ndeshjes pretendoi se Bellingham e ka ofenduar me fjalor të rëndë, ndërsa ky i fundit tha se ka pasur një keqinterpretim të fjalëve që ai ka thënë. 

Tani një ditë pas përfundimit të asaj ndeshje, ka ardhur edhe reagimi i Bellingham përmes rrjeteve sociale. 

“U tha mjaftueshëm për atë keqkuptim, vetëm desha të kërkoj falje sërish që i lashë bashkëlojtarët e mi në një pozitë kaq të vështirë dhe t’i falënderojë tifozët për mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre”, ka shkruar Bellingham. 

Tashmë është bërë e ditur se drejtuesit e klubit gjatë ditëve në vijim do të paraqesin provat e tyre në tentim për ta anuluar kartonin e kuq të mesfushorit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat