Legjenda Effenberg këshillon trajnerin Nagelsmann

Futboll

Legjenda Effenberg këshillon trajnerin Nagelsmann

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 14:32
Pamje nga një ndeshje

Legjenda e futbollit gjerman, Stefan Effenberg, ka një këshillë për trajnerin e Gjermanisë, Julian Nagelsmann. Sipas tij, Leon Goretzka meriton të rikthehet në kombëtaren e “pancerave”.

Mesfushori i Bayern (30) ka disa muaj që nuk luan me kombëtaren. Kjo, sepse në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar dhe në nisje të sezonit aktual ai nuk po luante mjaftueshëm te Bayern.

Goretzka, megjithatë, ka minimalisht 2 muaj që është rikthyer në formë. Trajneri Kompany tashmë beson tek ai dhe po e aktivizon si titullar në shumicën e ndeshjeve.

“Goretzka është i gjatë, ka fizikun, është i fortë në duele, nuk u shmanget kurrë përballjeve për topin në mesfushë dhe ka shumë cilësi kur i afrohet zonës kundërshtare”, ka thënë Effenberg.

“Ai e ka merituar këtë status që ka sot, pra titullar i Bayern. E ka treguar se sa profesional është, nuk është dorëzuar dhe as nuk është ankuar. Të gjithë trajnerët i duan lojtarët me karakter dhe Goretzka i tillë është”.

“Kur je titullar te Bayern, gjithmonë duhet të konsiderohesh për t’u grumbulluar me kombëtaren”, ka argumentuar Effenberg, fiks pak javë përpara ndeshjeve të muajit mars.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat