Real Madridi duket i gatshëm të ndryshojë strategjinë e tij për merkaton e ardhshme të verës, dhe sipas raportimeve të fundit, Florentino Perez ka vënë syrin te një sulmues i ri që do të përshtatej në mënyrë të përkryer në skemën e klubit të bardhë.
“Los Blancos” kanë në shënjestër Victor Gyokeres, golashënuesin suedez të Sporting Lisbon, i cili ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mira evropiane për shkak të aftësisë së tij mbresëlënëse për të shënuar gola.
Plani i presidentit të Real Madrid është i qartë: të vendosë Kylian Mbappe në krahun e majtë, pozicioni i tij i natyrshëm ku ka treguar paraqitjet më të mira gjatë gjithë karrierës së tij.
Për këtë arsye, drejtuesit e Real-it besojnë se skuadra ka nevojë për një sulmues ‘9’ i cili mund të garantojë një numër të konsiderueshëm golash në sezon dhe Gyokeres është kandidati ideal për atë rol.
Megjithatë, operacioni për të sjellë Gyokeres në Madrid nuk do të jetë i lehtë. Sulmuesi suedez vlerësohet rreth 100 milionë euro, një shifër e lartë që Real Madrid mund ta përballojë vetëm nëse Vinicius Jr. largohet nga klubi.
Largimi i mundshëm i brazilianit do të gjeneronte të ardhura të mjaftueshme për të sjellë sulmuesin suedez dhe, në të njëjtën kohë, për të parandaluar çdo çekuilibër pagash në ekip.