Vedat Muriqi ka nisur dalëngadalë ta rikthejë formën e dikurshme.
Sulmuesi kosovar ishte protagonist i Mallorcas mbrëmë në fitoren me rezultat 3:1 ndaj Las Palmas.
Prizrenasi i shënoi dy gola për ekipin ishullor, ndërsa një tjetër e shtoi Rodriguez, për t’ia siguruar tri pikë të vlefshme ekipit kuqezi, shkruan “Gazeta Express”.
Kjo fitore ia mundësoi Mallorcas të ngritët në vendin e shtatë në tabelë me 34 pikë, ndërsa ishte fitorja e 10-të e Muriqit me shokë.
E sot, 30 vjeçari e bëri një postim në rrjetet sociale përmes së cilit e shprehu gëzimin e tij për golat, për të cilat pati dedikim special.
“Çdo betejë, çdo gol, çdo fitore, çdo sekondë, për ju Mallorquinistas!”, shkroi Muriqi në Instagram, duke ia kushtuar këtë postim tifozëve të Mallorcas, të cilët e kanë mbështetur atë gjithmonë, në kohëra të mira dhe të vështira.
Muriqi arriti në kuotën e 6 golave në këtë sezon në La Liga.
Ai ka qenë protagonist i këtij ekipi duke e ndihmuar të mbetej në ligë në sezonet paraprake. /Gazeta Express