Ish-bashkëlojtari i Viniciusit tek Real Madridi e këshillon të fokusohet vetëm në futboll

Futboll

Ish-bashkëlojtari i Viniciusit tek Real Madridi e këshillon të fokusohet vetëm në futboll

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 16:14
Viniciusi

Ish-lojtari i Real Madridit, Casemiro, i është bashkuar një liste të gjatë të figurave të futbollit që e kanë këshilluar Vinicius Junior të fokusohet vetëm në futboll dhe të evitojë gjërat tjera. 

Temperamenti i Vinicius brenda fushës e ka bërë atë një objektiv të lojtarëve kundërshtarë dhe në janar ai mori kartonin e tretë të kuq në karrierë. 

Casemiro, gjatë një interviste për Diario AS, është pyetur se çfarë këshille do t’i dhuronte ish-bashkëlojtarit të tij në nivel klubi dhe kombëtare, dhe ai tashmë ka shpjeguar se i ka treguar Viniciusit çfarë mendon se është më e mira për të. 

“Do t’i thoja atij, siç i kam thënë kur u takuam me Brazilin, se ka vetëm një mënyrë për të ndaluar ty: duke të nxjerrë nga loja. Vetëm atëherë mund ta ndalni atë”. 

“Nëse Vini është i fokusuar vetëm tek loja, i fokusuar vetëm tek loja e tij, ai është më i miri në botë”, ka thënë Casemiro. 

“Por nuk është e lehtë, sepse ata në mënyrë konstante po i shkojnë pas. Me problemet që ai ka vuajtur unë jam shumë i mërzitur”. 

“Fëmijët e mi janë spanjollë dhe unë isha i mërzitur. Pavarësisht kësaj, ai duhet të fokusohet të luajë futboll. Kur fokusohet vetëm aty është më i miri”. 

“Ai e ka bërë diferencën për shumë vite, i kam thënë tek Brazili: Mos e humb asnjëherë buzëqeshjen apo gëzimin që ke kur luan, bëhu vetvetja dhe do të jesh i pandalshëm”, përfundoi braziliani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat