Turneu i parë Europian për këtë vit, i organizuar nga Federata e Futbollit, starton nesër. Bëhet fjalë për raundin e dytë të Kampionatit Europian 2025 për moshën U-19 për vajza, ku Shqipëria bën pjesë në grupin B4 së bashku me Irlandën e Veriut, Azerbajxhanin dhe Malin e Zi.
Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në “Elbasan Arena”, “Egnatia Arena” dhe në “Shtëpinë e Futbollit”. Kombëtarja U-19, e drejtuar nga trajnerja Luçije Gjini, do ta nisë rrugëtimin me sfidën ndaj Malit të Zi, e cila do të luhet nesër në “Elbasan Arena” në orën 14:30. Po nesër, në orën 11:30, Irlanda e Veriut dhe Azerbajxhani do të përballen në “Shtëpinë e Futbollit”.
Skuadra kuqezi është grumbulluar prej së shtunës në Durrës, ku ka zhvilluar përgatitjet e fundit në prag të këtij turneu. Ekipi është në gjendje optimale dhe gati për të dhënë maksimumin në ndeshjen e parë ndaj Malit të Zi.
Të gjitha sfidat e grupit B4 do të luhen në Shqipëri më 18, 21 dhe 24 shkurt. Kombëtarja shqiptare do t’i zhvillojë ndeshjet e saj në stadiumet “Elbasan Arena” dhe “Egnatia Arena”, ndërsa takimet e tjera të grupit do të luhen në “Shtëpinë e Futbollit”.