Xhamal Musiala reflektoi mbi ndeshjen kryesore të fundjavës së kaluar me Bajer Leverkusen dhe ndau mendimet e tij përpara ndeshjes së dytë të Ligës së Kampionëve të martën mbrëma me Sëlltikun në Mynih.
Musiala foli në konferencën për shtyp të Bajernit pasditen e së hënës dhe theksoi mësimet që ai dhe shokët e tij morën nga ndeshja e ndërlikuar kundër Leverkusen të shtunën e kaluar.“Mendoj se kemi folur për këtë, ne kemi pasur shumë zotërim këtë sezon.
Ne kurrë nuk kemi përjetuar diçka të tillë si ajo që ndodhi kundër Leverkusenit, ku na u desh të mbroheshim kaq shumë. Ishte një përvojë e mirë, diçka e tillë duhej të ndodhte në një moment, kështu që ne mund të mësojmë prej saj. Dhe ne mund ta marrim atë me vete në takimet që po vijnë”, tha Musiala.
21-vjeçari, i cili kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje të re me klubin bavarez deri në vitin 2030, ishte i vetëdijshëm se ata nuk dhanë performancën e tyre më të mirë në “BayArena”, por megjithatë arritën një rezultat të rëndësishëm.
“Atmosfera është pozitive, ne nuk patëm ditën tonë më të mirë në Leverkusen, por nuk humbëm, që është një sinjal i mirë për të gjithë ekipin. Ka shumë gjëra që mund të bëjmë më mirë, ama shpirti i ekipit, aftësia për të luftuar, për të mbajtur portën e pastër, është diçka që na nevojitet nëse duam të shkojmë larg”, vazhdoi ai.
Duke parë përpara ndeshjes së dytë të ndeshjes së dytë të “play off”-it në Ligën e Kampioneve sot me Sëlltikun, Musiala nuk ka asnjë iluzion se do të jetë një çështje vetëm për t’u paraqitur.
“Nuk do të jetë një lojë e lehtë, ne pamë se si ishte në Gllasgou. Ne duhet të përgatitemi mirë, të sigurohemi që të jemi të freskët dhe të gatshëm mendërisht.
Duhet të jemi 100% atje, duhet të fillojmë fuqishëm menjëherë dhe shpresojmë që të fitojmë. Askush nga ne nuk dëshiron të ketë justifikime.
Ne po i përdorim ditët për t’u përgatitur mirë për ndeshjen, atëherë duhet të japim gjithçka”, e mbylli Xhamal Musiala. Ekipi i Vinsent Kompani ka një epërsi 1-2 në përballjen me kampionët skocezë pasi golat e Mishel Olize dhe Herri Kejn siguruan fitoren në “Celtic Park” të mërkurën e kaluar.