Ibrahimoviç: Sot pres një Milan agresiv dhe konkret

Futboll

Ibrahimoviç: Sot pres një Milan agresiv dhe konkret

Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 11:10
Ibrahimoviç

Milani po përgatitet për ndeshjen e kthimit të “play off”-it të Ligës së Kampionëve kundër Feyenoordit, me objektivin për të përmbysur humbjen 1-0 të pësuar në Rotterdam.

Sfida u prezantua jo nga trajneri Sergio Conceição, i cili udhëtoi për në Portugali për funeralin e Pinto Da Costa, presidentit legjendar të Portos dhe mentorit të tij. Në vend të tij, përkrah Tomorit, ishte Zlatan Ibrahimoviç:

“Sot do të jetë ndryshe nga ndeshja e parë, me 80 mijë tifozë milanistë në stadium, plus ata në gjithë botën, që do ta mbështesin ekipin. Unë jam fitues dhe dua të sjell rezultate, të bëj diçka që mbetet në histori”.

Mbi rëndësinë e “San Siro”: “Para se të përgjigjem, dua të theksoj se është një situatë e rrallë që ndodhem këtu. Trajneri ishte në Portugali, por po vjen. Për ne, tifozët janë thelbësorë. Ata patën përparësinë e tifozëve të tyre në Rotterdam. Sonte do të jetë një ndeshje shumë ndryshe, me 80 mijë milanistë, jo vetëm ata në stadium, por edhe ata në të gjithë botën. Do ta shtyjnë ekipin përpara, ata që zbresin në fushë duhet ta marrin këtë energji për të dhënë maksimumin dhe për të qenë të gatshëm”.

Mbi luhatjet e ekipit: “Siç thashë një javë më parë, e rëndësishme është që edhe momentet e vështira të jenë sa më pak të theksuara. Nuk është e lehtë të jesh gjithmonë në formën më të mirë, por po përpiqemi. Nëse një ekip arrin të mbajë nivele të larta edhe në momentet e vështira, atëherë ai fiton. Po punojmë për këtë, për të ndërtuar një mentalitet fitues. Flas çdo ditë me lojtarët, kërkojmë zgjidhje së bashku, flasim me trajnerin, por nuk duhet të bëhet diçka e përsëritur. Nëse i thua gruas çdo ditë që e do, në një moment e humb kuptimin. Duhet ta tregosh me vepra, jo vetëm me fjalë”.

Çfarë pritet nga ekipi sot: “Milani duhet të jetë i fokusuar, agresiv dhe më konkret se në ndeshjen e parë. Duhet të hyjë në fushë me mentalitetin e një finaleje. E rëndësishme është të fitojmë, edhe pse normalisht duam të luajmë mirë. Jemi në disavantazh të një goli, duhet të fitojmë për të kaluar në 1/8 finale. Secili duhet të motivojë shokun e tij dhe ta bëjë këtë me përqendrim maksimal. Është një punë kolektive që fillon nga disa individë. Edhe ata në stol duhet të kontribuojnë, sepse gjithçka lidhet me ekipin. Kjo është ajo që e bën një grup të fortë”.

Mbi emocionet si drejtues: “Unë jam fitues dhe dua të sjell rezultate. Nuk dua të bëj diçka që nuk lë gjurmë në histori, dua të bëj diferencën për ta shkruar historinë. Milani është një klub që ka shkruar historinë. Kushdo që punon për Milanin është këtu për të njëjtin qëllim. Kur fiton, sjell trofe, dhe ky është Milani. Nëse shikon historinë e Milanit në Champions, sheh që ky klub ka bërë histori në këtë kompeticion. Duam ta vazhdojmë këtë traditë. Ne nga jashtë e mbështesim ekipin, por është detyra e lojtarëve dhe stafit teknik të sjellin rezultate. Sot është si një finale”.

Mbi përforcimet e janarit: “Presim shumë nga blerjet e reja. Ata tashmë janë pjesë e ekipit. Walker, për shembull, është një lojtar i gatshëm. Nuk është dikush që duhet të rritet, ai duhet të sjellë rezultate menjëherë. Ndërsa Joao Felix mund të zhvillohet më tej. Gimenez gjithashtu mund të përmirësohet dhe të bëhet edhe më i fortë, ashtu si Bondo dhe Sottil. Klubi pret shumë prej tyre. I kam thënë të gjithëve të marrin hapësirën e tyre, sepse kjo ndihmon skuadrën: sjell diçka të re që e ndryshon pak ekuilibrin. Ky është objektivi i tyre. Siç thoshte Galliani, lojtarët duhet të mendojnë vetëm për futbollin, për pjesën tjetër kujdesemi ne. Gimenez është një ‘vrasës’ në zonën e rreptësisë, por me trajnerin tonë, nëse nuk vrapon, nuk luan”.

Mbi afërsinë e tij me skuadrën: “Në verë isha i pranishëm në konferencat për prezantimin e blerjeve të reja. Flas me trajnerin Conceiaco çdo ditë, jo vetëm unë, por të gjithë drejtuesit. Nuk ka ndryshuar asgjë. Të gjithë kemi përgjegjësi dhe po bëjmë gjithçka për ta ndihmuar Milanin të jetë Milani”.

Mbi kampionatin dhe garën për Champions: “Çdo javë rezultatet ndryshojnë. Ne jemi të fokusuar tek vetja. Duhet t’i marrim ndeshjet një nag një, sikur të gjitha të jenë finale. Ata që janë para nesh po japin maksimumin për të qëndruar aty, por do të jetë një betejë deri në fund. Të gjithë janë të rrezikshëm, duhet t’i mundim të gjithë”.

Mbi Gimenez dhe klauzolën e riblerjes nga Real Madridi: “Në verë, e konsideroja si zëvendësuesin e Theos. Erdhi me durim dhe tani është një lojtar kyç. Ka një klauzolë për Realin, por kemi marrëdhënie të mira me ta, për momentin nuk kemi diskutime. Ai është i rëndësishëm për ne. Në verë, ai ishte pjesë e ‘Milan Futuro’, sot kemi Camarda, Jimenez, Bartesaghi, Torriani, Zeroli që shkoi te Monza, Cuenca te Genoa, Stalmach në Gjermani… Kjo ishte strategjia jonë për të ardhmen e Milanit”.

Mbi Cardinale dhe pritshmëritë e tij: “Flasim çdo ditë me Gerry (Cardinale). Është shumë i përfshirë dhe entuziast. Do sukses me Milanin dhe iu jep energji të gjithëve. Na jep hapësirë për të bërë punën tonë, por në këmbim kërkon rezultate”.

Mbi Theo Hernandez: “Këto janë ndeshje speciale për lojtarët, sepse janë si finale. Kur ke mundësinë t’i luash, i përjeton ndryshe. Secili ka mënyrën e tij për të dhënë maksimumin. Unë, për shembull, bëhesha i zemëruar, sepse më ndihmonte të jepja më të mirën. Theo nuk është më fëmijë, tani është një nga më të mirët në botë”.

Mbi Leao: “Të gjithë flasin për të, të gjithë duan t’i thonë si të luajë. Por për ne, ai është ndër më të mirët në botë. Nuk mund t’i shpjegosh si të luajë, ai e di vetë. Për këtë arsye është te Milani dhe është ndër më të mirët”.

Mbi lojtarët italianë: “Kërkuam italianë në merkato, por nuk mundëm t’i finalizonim disa marrëveshje. Morëm Sottil. Te Milani, askush nuk e ka vendin të garantuar. Nëse nuk ka konkurrencë brenda, e sjellim nga jashtë, qoftë italian apo i huaj. Kur luan për Milanin, duhet të sjellësh rezultate. Për këtë arsye, lojtarët e Milanit bëhen legjenda”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat