Liverpool do të rikthehet këtë mesjavë në fushë teksa do të luajë ndeshjen e radhës në Premier League, atë ndaj Aston Villa. Një përballje e rëndësishme për “reds”, që kryesojnë renditjen, ndaj një rivali që muajt e fundit ka bërë mirë në kampionat.
Trajneri i Liverpool, Arne Slot, duke folur për ecurinë e skuadrës së tij, u shpreh se tani rivaliteti është më i madh dhe të fitosh më e vështirë, skuadra e tij ka fituar 5 nga 6 ndeshjet e fundit me diferencë të një goli.
“Kur vjen fundi i sezonit bëhet edhe më e vështirë dhe shumë ndeshje janë vërtet të ngushta. Jo vetëm tonat. Dje, Barcelona mund të kishte barazuar ndaj Rayo. Rezultatet si ky janë mjaft të zakonshme. Kjo ju tregon se keni një ekip që lufton deri në fund”, tha Slot.
Ai konfirmoi se Cody Gakpo dhe Joe Gomez nuk janë të disponueshëm për ndeshjen e të mërkurës, ndërkohë që “reds” kanë 7 pikë avantazh ndaj Arsenal në renditje. Ai shtoi se lojtarët po mësohen gjithnjë e më shumë me presionin.
“Ne mbështetemi shumë te lojtarët, përpiqemi t’i përgatisim, unë u bëj një takim para ndeshjes, por që nga ai moment ne mbështetemi tek ata. Na ndihmon fakti nëse një lojtar apo një ekip tashmë ka fituar diçka”, u shpreh holandezi.
Në fund, Slot ka bërë një krahasim me titullin fituar në kohën e Klopp: “Ata që fituan Premier në kohën e covid, pa tifozët tanë në stadium, ishin 25 pikë përpara. Kështu që nuk mund të flasësh për presion atëherë”.