E ardhmja e Florian Wirtz është e lidhur ngushtë me atë të trajnerit të tij aktual, Xabi Alonso. Nëse trajneri spanjoll largohet nga Bayer Leverkusen në verë, edhe talenti i ri gjerman mund të bëjë gati valixhet.
Sipas ‘TBR Football’, Alonso është në shënjestër të Real Madridit dhe mund të zëvendësojë Carlo Ancelotti-n, nëse trajneri italian largohet nga Los Blancos në fund të sezonit. Në këtë skenar, Wirtz mund të tundohet nga ideja për t’u transferuar në një klub të madh evropian.
Ndër ekipet më të interesuara për mesfushorin ofensiv janë Arsenali, Liverpooli dhe Manchester City, të cilët e ndjekin prej kohësh lojtarin dhe kanë nisur tashmë kontaktet me përfaqësuesit e tij.
Megjithatë, edhe Real Madridi (veçanërisht nëse klubi i Florentino Pérez vendos t’ia besojë pankinën Xabi Alonsos) dhe Bayerni po ushtrojnë presion për ta siguruar kartonin e tij. Bayer Leverkuseni e vlerëson Wirtz rreth 87 milionë paundë, një shumë e lartë që do ta bëjë negociatën mjaft të ndërlikuar.
Musiala e fton te Bayerni i Mynihu-t
“Një lojtar i jashtëzakonshëm, është kënaqësi të luash me të. Më pak argëtuese është të luash kundër tij, por besoj se edhe për Gjermaninë do ta shohim përsëri, ku do të kemi mundësinë të luajmë sërish bashkë.
Jemi miq të mirë dhe do të shihemi së shpejti. Do të ishte bukur nëse do të vinte tek ne (qesh), por nuk dua të jap asnjë sugjerim në këtë drejtim.
Gjithsesi, siç thashë, është gjithmonë kënaqësi të luash me të”.