Kategoria e Parë ditën e djeshme ka mbyllur ndeshjet e javës së 23-të të kampionati, teksa tashmë skuadrat kanë marrë rezultatet të rëndësishme për objektivat e tyre.
Vora e Flamurtari as këtë javë nuk ndalen, me ekipet që vazhdojnë “marshimin” e tyre drejt titullit kampion.
Një garë e fortë, teksa vetëm 2 pikë ka Vora më shumë se Flamurtari.
Ndërkohë fitore të rëndësishme mori edhe Besa e Kavajës, të cilët mbposhtën Kukësin. Ekipi i drejtuar nga Emiliano Çela ka 9 pikë më pak se vendi i dytë, ndërsa kanë po 9 pikë më shumë se vendi i 4-të që mbahet nga Burreli.
Pas matjanëve renditet Lushnja me 33 pikë, ndërsa me 1 pikë më pak ndodhet Pogradeci që bën pjesë në vendin e 6-të në “Play-Off”. Kastrioti ndodhet i 7-ti në klasifikim me 30 pikë, teksa me 1 pikë më pak ndjek Apolonia.
Korabi edhe këtë javë pavarësisht fitores së dytë rresht ndodhet në vendin e 9-të me 25 pikë, ndërsa Kukësi ka 20 pikë, 13 pika ka Valbona dhe me 8 pikë mbyll tabelën e klasifikimit skuadra e Erzenit.