Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka nisur sot në Kampin Nacional në Hajvali përgatitjet për dy ndeshjet e para në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku do të garojë në Ligën C.
Nën drejtimin e përzgjedhësit Sami Sermaxhaj dhe stafit të tij, vajzat dardane janë rikthyer me entuziazëm dhe përkushtim të madh për të qenë sa më të gatshme për duelet e rëndësishme ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Letonisë.
Sipas kalendarit të garave, Dardanet do ta zhvillojnë ndeshjen e parë si mysafire në Shkup, më 21 shkurt, ndërsa më 25 shkurt do të presin Letoninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Përzgjedhësi Sami Sermaxhaj, duke folur për fazën përgatitore, ka theksuar rëndësinë e dy grumbullimeve të fundit dhe ndeshjes testuese që është zhvilluar si pjesë e seleksionimit të grupit më të mirë për këto sfida.
“Ne paraprakisht i kemi pasur dy grumbullime dhe kemi zhvilluar një lojë testuese, e cila ka qenë shumë e mirëseardhur për ta seleksionuar grupin më të mirë që do t’i përgjigjet kundërshtarëve në këto ndeshje të Ligës C.
Tani i gjithë fokusi është te përballja e së premtes ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërsa pas kësaj ndeshjeje do të mendojmë për duelin me Letoninë. Një risi e këtij grumbullimi është se kemi përfshirë shtatë lojtare nën 20 vjeç, të cilat vijnë nga Kombëtarja U19 dhe që gradualisht do të adaptohen me mënyrën e lojës në ekipin A. Qëllimi ynë është rikthimi në Ligën B dhe mbajtja e një niveli të lartë”, ka theksuar Sermaxhaj.
Ndërkohë, futbollistja Erëleta Memeti ka folur për atmosferën brenda ekipit dhe rëndësinë e ndeshjes së parë:
“Stërvitja e parë ka kaluar shumë mirë, atmosfera në ekip është e shkëlqyer dhe lojtaret e reja që kanë ardhur nga U19 janë integruar shumë shpejt. Ndonëse kushtet klimatike janë të ftohta, ne do të japim maksimumin në fushë.
Maqedonia e Veriut është një kundërshtar që e njohim mirë nga përballjet e kaluara dhe e dimë që kanë disa lojtare cilësore. Do të jetë një sfidë e vështirë, por ne si ekip do të bëjmë më të mirën për të dalë me rezultat pozitiv”, ka theksuar Memeti.
Po ashtu, optimizmi mbretëron edhe te futbollistja Donjeta Halilaj, e cila ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e ekipit:
“Disponimi i vajzave është shumë i mirë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë si duhet. Besoj se me punë dhe angazhim mund të arrijmë çdo gjë. Me trajnerin e ri, ekipi po punon në mënyrë shumë të organizuar dhe vajzat janë të fokusuara 100 për qind. Shpresoj të arrijmë fitore në këto dy ndeshje”, ka deklaruar Halilaj.
Dardanet do të vazhdojnë përgatitjet intensive gjatë ditëve në vijim, ndërsa synimi i qartë i ekipit është të tregojë paraqitje të denjë në këtë cikël garash dhe të rikthehet në Ligën B.