Sulmuesi i Kosovës, Mërgim Berisha, do të mungojë edhe për katër javë të tjera. Ai pritet të kthehet në fund të muajit mars, ka raportuar të martën “Augsburger Allgemeine”.
Sipas raportit të fundit mjekësor, është zbuluar se nga lëndimi është prekur edhe tendina.
“Më vjen shumë keq për Mërgimin dhe ekipin”, citohet të ketë thënë për gazetën gjermane trajneri i Augsburgut, Jess Thorup.
Berisha në janar u huazua nga Hoffenheimi. Ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje që kur u rikthye tek Augsburgu.
“Ne ishim të bindur se Mërgimi do të mund të ndihmonte shpejt. Tani lojtarët që i kemi në dispozicion duhet të marrin përgjegjësitë”, është shprehur trajneri Thorup.
Pjesë e Augsburgut është edhe mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj.