Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, ka hedhur dyshime mbi deklaratën e Pep Guardiola, i cili ka thënë se Manchester City ka vetëm një për qind mundësi për të eliminuar madrilenët në ndeshjen e kthimit të Champions League.
Me një epërsi 3-2 pas fitores në ndeshjen e parë, Real Madrid do ta presë të mërkurën City në "Santiago Bernabeu" në përpjekje për ta siguruar kalimin në fazën tjetër. Skuadra e Guardiola, ndonëse kampione e Anglisë, ka pasur vështirësi këtë sezon dhe aktualisht renditet në vendin e katërt në Premier League.
Pas triumfit 4-0 ndaj Newcastle të shtunën, Guardiola ka deklaruar se ekipi i tij ka vetëm një për qind shanse për të eliminuar Real Madrid, rekordmbajtësin e Champions League me pesëmbëdhjetë tituj.
Megjithatë, Ancelotti nuk e ka marrë seriozisht këtë vlerësim të teknikut spanjoll.
"Ai nuk e mendon vërtet këtë", ka thënë Ancelotti në një konferencë për shtyp. "Nesër, para ndeshjes, do ta pyes: a e beson me të vërtetë që ke vetëm një për qind shans?".
Tekniku italian ka theksuar se City ka më shumë gjasa për të kaluar tutje, por ka shtuar se edhe Real Madrid nuk e konsideron veten automatikisht të kualifikuar.
"Ne nuk mendojmë se kemi 99 për qind shanse", ka thënë ai. "Mendojmë se kemi një avantazh të vogël, të cilin duhet ta shfrytëzojmë dhe të përpiqemi të luajmë të njëjtën lojë si në ndeshjen e parë, e cila shkoi mirë për ne".