Simeone nuk po heq dorë nga Griezmann

Futboll

Simeone nuk po heq dorë nga Griezmann

Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 07:08
Antoine Griezmann

“Jam me fat që jam trajner i një futbollisti si Griezmann”. Këto janë fjalët e Diego Simeones, trajnerit nën të cilin francezi ka shkëlqyer më shumë gjatë karrierës së tij.  

Një karrierë që e ka bërë atë “një nga më të mëdhenjtë në historinë e klubit”, siç e ka theksuar shpesh edhe vetë Simeone. 

Vitet kalojnë dhe ndryshimet janë të pashmangshme. Ashtu si Koke ka humbur vendin e tij si titullar, disa zëra sugjerojnë se prania e Sorloth (9 gola) mund ta dërgojë Antoine Griezmann në stol në disa raste. 

Por statistikat flasin ndryshe. Me 21 kontribute direkte në gola (15 gola dhe 6 asistime), Griezmann mbetet lojtari më i rëndësishëm në aspektin sulmues për Atletico Madridin, në të njëjtin nivel me Julián Alvarez (17 gola dhe 4 asistime). 

Me fazën e eliminimit në Ligën e Kampionëve dhe gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit në horizont, Griezmann mbetet jetik për skuadrën.  

Pavarësisht minutave të reduktuara në disa ndeshje, ai vazhdon të jetë një lojtar vendimtar. Nuk duhet harruar se është golashënuesi më i mirë në historinë e klubit dhe që nga kthimi te Atletico Madridit në vitin 2024, ka qenë gjithmonë ndër lojtarët më produktivë në sulm. 

Megjithëse me kalimin e kohës ka humbur pak nga shpejtësia dhe freskia, ai mbetet i pazëvendësueshëm. Nëse do të kalojë në stol, ky proces do të jetë më i ngadaltë sesa ai i shokut të tij të ngushtë, Koke. 

Me 34-vjetorin që po afron (më 21 mars), është normale që Griezmann të menaxhohet me kujdes. Largimi i tij nga Kombëtarja e Francës ka ndihmuar në këtë aspekt, ndërsa Atlético Madridi ka hartuar një plan të veçantë për ta mbajtur në formë gjatë një sezoni të ngarkuar. Deri tani, ai ka luajtur 35 ndeshje dhe ka grumbulluar mbi 2500 minuta, një ndër më të përdorurit në skuadër. Griezmann është vetëm dy gola larg shifrës 200 në La Liga dhe katër gola larg 200 golave me fanellën e Atletico Madridit.  

Pavarësisht këtyre arritjeve personale, objektivi i tij kryesor mbetet i njëjtë: të fitojë një trofe madhor me Atletico Madridin – La Liga, Kupa e Mbretit apo Liga e Kampionëve. Një trofe që ende i mungon, pavarësisht performancave të tij të jashtëzakonshme. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat