Sot (e mërkurë) janë në program për t’u zhvilluar katër ndeshjet kthyese të fazës ‘play-off’ të Ligës së Kampionëve.
Dje gjatë mbrëmjes u zhvilluar katër ndeshjet e para të ‘play-off’-it, ku nuk munguan befasitë, sikurse ajo e Fejnordit që eliminoi Milanin dhe Klub Brizhit që eliminoi Atalantan. Tutje kaluan edhe Bajern Munihu dhe Benfika.
Interesant pritet të jetë edhe në katër ndeshjet e sotme, ku në dy nga to ka mbetur gjithçka e hapur rreth kalimit në fazën tjetër, ndërsa dy ndeshjet tjera favoritët janë shumë më të qartë.
Ndeshja më e fortë padyshim se pritet të jetë ajo në mes të Real Madridit dhe Man. Sitit në ‘Santiago Bernabeu’, me “Los Blankos” që janë paksa të favorizuar pas fitores 3-2 në ndeshjen e parë.
Përballje e fortë pritet të zhvillohet edhe në Holandë, ku PSV Aindhoven do të tentojë të eliminojë Juventusin, pas humbjes 2-1 në ndeshjen e parë të luajtur në Itali.
Në dy takimet tjera: Borusia Dortmund-Sporting Lisbona dhe Paris Sen Zhermen-Brest gjithçka duket më e qartë, pasi ekipet vendase kanë fituar ndeshjet e para në udhëtim me rezultat të thellë 3-0.