Jude Bellingham është suspenduar me dy ndeshje të La Ligas, njofton Federata Spanjolle e Futbollit, për kartonin e kuq kontrovers që e mori të dielën në ndeshjen me Osasunën.
Mesfushori anglez do të mungojë në ndeshjet e rëndësishme kundër Gironës dhe Real Betisit.
Suspendimi i lojtarit erdhi pas fyerjes që ia bëri ai referit Munuera Montero gjatë lojës, kur edhe u ndëshkua me karton të kuq.
Pamjet televizive e bindën Federatën Spanjolle që ta marrë vendimin për dënimin e ish-futbollistit të Borussia Dortmundit.
Real Madridi, nga ana e tij, e ka ndërmend të ankohet për këtë vendim, duke insistuar që kartoni i kuq ishte i panevojshëm në këtë rast.
Klubi spanjoll insiston se fyerja e lojtarit nuk ishte aq e rëndë sa që të përjashtohej nga loja, e aq më pak që të dënohet me dy ndeshje.
Sidoqoftë, Federata Spanjolle njihet për vendimet e saj strikte dhe të pakompromis kur bëhet fjalë për fyerjet.