Arsen Wenger e sheh të zymtë të ardhmen e dy klubeve që po vuajnë këtë sezon, Totenhem dhe Mançester Junajtid dhe mendon se skuadrat duhen ribërë për t’u rikthyer sërish në nivele të larta.
“Spërsat” renditen në vendin e 12-të, ndërsa “Djajtë” tri shkallë më poshtë. Ish-trajneri i Arsenalit komentoi për “beIN Sports”:
“Nuk do të gjeni shumë tifozë të lumtur në asnjërën anë.
Kur ju thoni se Totenhem-Junajtid është një ndeshje shumë e rëndësishme, unë do të thosha se nuk është një ndeshje shumë e rëndësishme për tabelën, sepse ata janë jashtë çdo gjëje.
Është e rëndësishme për krenarinë dhe për të gjetur paqen me tifozët tuaj, sepse të dyja skuadrat kushtojnë mbi një miliard paund. Të dyja skuadrat kanë të njëjtin problem: të gjejnë lojtarë të mirë për të rindërtuar ekipin e tyre. I gjithë ekipi duhet të rindërtohet, si te Totenhemi, ashtu edhe Mançester Junajtid dhe kjo nuk do të jetë e lehtë për asnjërën palë”.